Analize

Kur puqen numrat dhe psikologjia e bindjes se në Shqipëri mund të ketë ri-karantinë?!

Sa më shumë rritet numri i të infektuarve në ditë nga COVID-19 aq më shumë po i druhemi një karantine më të ashpër se masat aktuale kufizuese; le të themi pjesërisht të ngjashme me atë të pranverës.
Prej të paktën dy javëve të fundit, pikërisht koha kur numrat vetëm rriteshin, Gazeta “Si” dëgjonte plot zëra brenda institucioneve apo nga bizneset se po merrnin masa për një lajmërim zyrtar për një derivat të karantinës.
Një stomatologe i tha Gazetës se "na lajmëruan që të ulim fluksin e pacientëve dhe të reduktojmë kalendarët në pritje të një izolimi". Nga disa drejtori arsimore dhe mjekë të familjes, gjithashtu mësuam me gjysmë zëri se pritet një lloj karantine.
Kudo pritej një shtrëngim, por askush nuk e dinte ta thoshte.

Më shumë tingëllonte si një parashikim që mund të bënte çdokush, ndonëse disa prej tyre i thanë Gazetës se kanë burime zyrtare. Tani, që edhe numri i të vdekurve është rritur, ndërkohë që megjithë kufizimin e orarit të lëvizjeve dhe mësimit online rastet nuk janë të kufizuar, bindja publike shkon drejt një modeli karantine. Sot (e mërkurë) drejtoresha e  Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini deklaroi se “incidenca e rasteve nuk ka rënë, megjithëse ka një tendecë uljeje të lehtë me 1,2 herë më pak javën e fundit”.
Gazeta “ Si” në një editorial të saj ka hedhur idenë e një karantine pjesore dhe nuk është kundër asnjë opsioni që nëse zbatohet me rigorizitet maksimal dhe në mënyrë të barabartë, sjell ulje të ndjeshme të infeksioneve.

Ndonjë media rendi të tregojë ekskuzivisht se pritet një karantinë duke nisur që nga kjo fundjavë, por siç tregoi dalja e sotme publike e Komitetit të Ekspertëve, ky lajm qëlloi rëndom i rremë. Por efektin e krijoi gjithsesi, duke qenë bazë e pyetjeve të sotme të gazetarëve të tjerë ndaj Komitetit.
A është diskutuar ndonjë herë nga Komiteti dhe a i është propozuar  kryeministrit Rama një karantinë të paktën për çdo fundjavë?!
Përgjigjia e zëvendësministres së Shëndetësisë, Mira Rakacolli ishte lakonike: "Jo, nuk i është propozuar kryeministrit asnjëherë një karantinë e plotë për fundjavë". Zv/ministrja madje tha se as në tryezën e Komitetit Teknik të Ekspertëve nuk ka qarkullaur ndonjë plan i tillë.
Kjo do të thotë se tani për tani nuk ka një karantinë. Por autoritetet e shëndetit nuk e mohuan që nëse numrat rriten, do të ketë jo vetëm karantinë ditore, por edhe masa të tjera shtrënguese. Kjo përgjigje e shton edhe më shumë të panjohurën, kur përqindja e pozitivitetit gjithë këto ditë nuk ka qenë më poshtë se 34%. Sa duhet të arrijë numri ditor i të infektuarve që të nisë karantina? Publiku ka arsye të forta ta dijë. Përveç numrit të të infektuarve, cila është pika psikologjike, pra momenti kur ne jemi të gatshëm ta pranojmë diçka të tillë?!

Ekspertët e shëndetit mendor kanë theksuar se “duke menduar gjithë kohës për sëmundjen dhe për faktin nëse do të infektohen apo si do të përballen me këtë situatë, njerëzit përballen me probleme të shëndetit mendor si stresi, depresioni, ankthi e të tjera”. Studimet kanë treguar se kjo lloj prekjeje mendore zgjat deri në tre vjet pas ngjarjes, edhe atëherë kur pandemia të ketë kaluar.
Ndërkohë shqiptarët provuan një karantinë të fortë në pranverë atëherë kur numrat ishin të vegjël, por atëherë ishte frika me të panjohurën.
“Tani - i thanë Gazetës "Si" ekspertët - mizotëron mosbindja e cila është përdour edhe politikisht”.
Nga ana tjetër është ekonomia, në pranverë humbëm mbi 40 mijë vende pune dhe rritja ekonomike zbriti nën 10 përqind. Ekonomia jonë edhe pse pati një moment impulsi të vogël në stinën e verës, nuk mundi të rikuperojë humbjen siç ndodhi në ekonomitë e mëdha dhe të mirëstrukturuara.
"Ekonomia shqiptare është e pambrojtur, prandaj goditet lehtë dhe në nivele shqetësuese e shprehur në disa indikatorë të rëndësishëm ekonomikë, siç janë: rënia e rritjes ekonomike, parashikohet nga 5-10 %, rritje e papunësisë në nivele kritike; rritje e varfërisë, rënie e të ardhurave buxhetore parashikohet deri në 50 miliardë lekë ose rreth 450 milionë dollarë (410 milionë euro) humbje nga rënia e besimit, rënie e konsumit, rënie e investimeve individuale, biznesit dhe të buxhetit të shtetit dhe rritje e defiçitit që parashikohet deri në 8.4 % të PBB-së", është shprehur para pak kohësh në një intervistë për Gazetën “Si” ish-ministri socialist i Financave,  Arben Malaj.

FMN në fillim të javës, përmes raportit periodik, na tregoi se rënia ekonomike për vitin tjetër do të jetë nën 5 përqind.
Ndoshta efekti psikologjik dhe mosbindja dhe plotësisht ekonomia po ia mbajnë dorën dhe gojën ekspertëve për të propozuar një tjetër karantinë. Ndaj, ajo nuk ka mbërritur as si opsion mbi tavolinë, por ama mbetet sërish opsioni i vetëm kur numrat të rriten. Por se shqiptarët duhet ta dinë dhe autoritetet janë të detyruar ta tregojnë: Gabimin e pranverës nuk e durojnë dot më!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë