Editorial

Pse jo një karantinë e segmentuar sesa masa shtrënguese për të gjithë

Për sa kohë numrat e të infektuarve rriten, edhe rruga drejt karantinës shkurtohet. Duket se është rrugë vetëm në një kah. Dhe është plotësisht e mundshme që tjera masa kufizuese që shtrëngojnë izolimin të mund të ndodhin brenda pak ditësh.

Çështja do të jetë si do të jetë karantina. Skenari më i keq dhe që të gjithë nuk e duan dhe i tremben si djalli temjanit është karantina e plotë. Pasojat dihen, një valë tjetër krize ekonomike që i mbivendosen pasojat e reja mbi pasojat e karantinës së parë, të cilat ende nuk janë rikuperuar: Rënie ekonomike -10 për qind dhe  papunësi të lartë, e cila nxori në rrugë në pranverën  këtij viti mbi 60 mijë veta! Dhe më pas spirale e krizës bëhet më gjatë aq sa mund të rrezikojë ndjeshëm, duke pakësuar fondet e mjaftueshme buxhetore edhe për shëndetësisë, e cila është në valën e parë të betejës.

Por edhe skenari për të mos u mbyllur sërish është i rëndë. Jo vetëm për shkak të numrave që rriten nga infeksioni, por edhe për shkak të gënjeshtrës që  krijon ideja e bizneseve të hapura. Rritja e  infeksionit ka ulur dhe do të ulë edhe më tej konsumin dhe pak rëndësi ka nëse bizneset do të mbyllen në 22.00 apo më vonë apo më herët. Dyert hapur nuk janë tregues se ekonomia po funksionon. P. sh: rreth 40 deri në 60% të bizneseve kredimarrëse kanë treguar se kanë rënie të të ardhurave, ndërkohë që kreditë e këqija janë rritur.  Të gjithë treguesit e tjerë indirekt e dëshmojnë këtë tashmë.

Autoritetet nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të përgatisin skenarët e menaxhimit të dëmit, sepse ai po ndodh tani. Skenarët e rreziqeve të mundshëm kanë rënë.

Ministrja e Shëndetësisë, zonja Manastirliu tha në daljet publike të fundjavës se burimi i rrezikut më të madh mbetet familja. Por a mund të jetohet me maskë dhe distancë fizike në familjet shqiptare ku sipas INSTAT gati 1/3 e familjeve në një banesë është mbi 5 anëtarë dhe ku numri mesatar i dhomave për një familje është vetëm 2.49. E pamundur! Me sa duket, autoritetet e kanë të pamundur të hetojnë zinxhirin e gjatë të përhapjes  së virusit përtej shtëpisë te fëmija në shkollë, te prindi në punë, në lokal, tek adoleshenti në urban, kudo ku anëtarët e një familje zhvillojnë jetën përpara se të hyjnë në shtëpi. Mungesa e dijes së plotë për vatrat nuk është problem vetëm i një vendi të varfër si Shqipëria, por edhe në vende me më shumë burime financiare dhe njohurish. Wall Street Journal shkruan se shumë autoritete të shëndetit publik po paralajmërojnë që koronavirusi tani është kaq i përhapur sa askush nuk e di se ku apo nga kush infektohet.

.....

Ndaj mes karantinës së plotë ose masave shtrënguese për të gjithë le të mendojmë opsionin e karantinës së segmentuar. P.sh nëse dyshimet e autoriteteve janë që  bizneset e bareve dhe restoranteve janë burimi kryesor, le të mbyllen përkohësisht, 2-3 javë, të gjitha bizneset. Dhe të presim efektin. Nëse janë shkollat dhe jo bizneset, le të mbyllen përkohësisht shkollat dhe mësimi të kryhet online. Nëse është transporti, le të mbyllet përkohësisht transporti. Mund të ndodhë që të izolohen përkohësisht edhe qytetet. Autoritetet e dinë më mirë nëse kanë të dhëna se nga cilat segmente duhet filluar. Ideja në thelb nuk është të fusim në karantinë, por të shpëtojmë nga karantina apo izolimi pjesët më pak të rrezikshme. Ky test i përkohshëm do t’u jepte një tjetër ndihmë autoriteteve që të riorientonin ndërhyrjet shumëdimensionale, si nga ana e protokollit të shëndetit, ashtu edhe financiare.

Më mirë një kirurgji drastike e përkohshme e disa pjesëve sesa një koma afatgjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë