Futboll

Kur prindërit dhe agjentët ngatërrojnë merkaton, Samarxhiç ‘viktima’ e fundit!

Gazeta Si – Mesfushori i Udinezes është rasti më i fundit, kur bisedimet e konsideruara të mbyllura hidhen në erë nga kërkesat pa sens të prokuratorëve dhe familjarëve.

Samarxhiç dhe agjentët e tij në Milano. Gazeta Si, 19 gusht 2023

Interi përjetoi një verë refuzimesh në merkato, nga Lukaku te Skamaka. Të gjitha kanë lënë shenjë, por njëra mbi të gjitha, veçanërisht për mënyrën dhe kohën: ajo e mesfushorit Lazar Samarxhiç, që ra poshtë disa ditë më parë. Dukej çdo gjë e kryer, por çuditërisht u bllokua.

Klubi zikaltër e mbylli këtë operacion në të gjitha detajet: ra dakord me Udinezen, gjeti akordin edhe me Rafaela Pimientan, agjenten e lojtarit. Gjithçka në rregull, serbi shkoi në Milano dhe kreu vizitat mjekësore që i paraprijnë nënshkrimit. Dhe pikërisht kur ai do të firmoste situata u përmbys.

Në skenë doli babai i futbollistit. Ai u ul në tavolinë me drejtuesit e Interit dhe tratativa pa pengesa deri në atë moment u bë kaos total.

Samarxhiç senior ‘fshiu’ Rafaela Pimientan nga operacioni dhe i besoi një prokuratori të ri, më pas doli edhe një prokurator i tretë. Agjentët dhe kërkesat e tyre nuk kanë kurrë fund. Babai pretendoi të rishikonte kushtet kontraktuale të të birit, një vendim që shtangu gjithë Interin.

Edhe pse në vështirësi, klubi zikaltër ruajti linjën e vet, duke mos u dorëzuar para kapriçove të prindërve dhe agjentëve. Interi i qëndroi akordit të arritur dhe e bëri të qartë se, nëse diçka nuk shkonte për palën tjetër, atëherë lojtari nuk do të vishej zikaltër. Kërkohej ndoshta një rritje e vogël page, apo një rishikim komisioni. Por Interi nuk ra pre, edhe pse mund të ketë humbur një talent.

Rabiot dhe nëna e tij agjente. Gazeta Si, 19 gusht 2023

Ky është vetëm rasti i fundit, kur prindërit dhe agjentët ngatërrojnë gjithçka. Rasti ‘Samarxhiç’ është konfirmimi se shpesh ata e katranosin dhe kur bëhen bashkë, situata mund të shpërthejë. Raste të tjera? Mjafton të përmendim ato të nënës së Lukakut, apo të nënës së Rabiot.

Pastaj janë edhe shumë baballarë, vëllezër, nëna, xhaxhallarë, e deri te kushërinjtë e katërt. Diletantë që shpesh futin hundët në tratativa për të nxjerrë një përfitim ekonomik. Nga aftësitë teknike të një lojtari mund të vijnë të mira për gjithë familjen. Por jo pak herë i prishin punë edhe lojtarit, si në rastin e Samarxhiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë