Libra

Kur leximet e verës t’i diktojnë politikanët

Çehovi, Çajupi, Dostojevski, Saramago... Këta janë disa nga autorët që këto ditë na vijnë të propozuara as më shumë e as më pak sesa nga parlamenti shqiptar. Ndërsa fliste rreth aktit antikushtetues të presidentit Ilir Meta me zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, para se rezoluta që e cilësonte të pavlefshëm dekretin të votohej me 100 vota pro, kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Kuvend do të thërriste si mbështetje disa nga mjeshtrit e letërsisë botërore.

“Kush kujton vërtetë se në aventurën e tyre mendore, e cila ka patjetër shumë elementë që ngjajnë si ndërthurje e “Klubit të Selanikut”,  të Çajupit me “Pavijonin numër 6”, të Çehovit, dy frymëzuesit dhe orkestruesit të  këtij plani,  Sali Berisha dhe Ilir Meta kujtojnë vërtet se mund të më largojnë mua nga detyra me molotovët e Lulit dhe me mallkimet e Monikës, e ka gabim” , do të thoshte Rama para deputetëve , në seancën plenare të së enjtes, ku u debatua për pesë orë rezoluta që i bënte thirrje për reflektim kreut të shtetit, për ta kthyer institucionin brenda kompetencave të  tij.

Po përse Rama zgjodhi të evokojë këto dy vepra në fjalën e tij? Megjithë ngulmimin e maxhorancës se zgjedhjet do të mbahen më 30 qershor dhe se në një republikë parlamentare, presidenti nuk ka fuqi të shfuqizojë datën të cilën e ka dekretuar vetë, ai tha se do ta kishte zgjedhur prapë Metën president, nëse kthehej pas në kohë.

Më 1909-n, Andon Zako Çajupi  botoi shkrimin e njohur “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe si një protestë kundër atyre që e shikonin Shqipërinë nën vartësinë e Turqisë dhe jo të Europës. Ai ironizon faktin që në çdo gjë, mbivlerësohej faktori turk dhe jo ai shqiptar, dhe se në këto “klube” apo “shoqëri” nuk thuhej asnjë fjalë për Shqipërinë dhe problemet e saj, dhe ku asnjeri nga anëtarët e klubit nuk pohonte që ishte shqiptar, por citonte me mburrje që ishte veçse një turk.

Që kur thanë se prunë konstituçi (si ta themi shqip këtë fjalë?), shqiptarët po ngrenë klub ndë çdo anë, ndë çdo qytet, ndë çdo katund, brenda ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.

Kur kupëtova mirë se ç'na tregon fjala klub, desha të kupëtoj dhe qëllimin e klubeve   që vendosnin sot shqipëtarët. Ky qëllim është i bashkët a i veçantë? I tdhetartë, i vlertë, a i dëmçim? Punë fort e rëndë dhe,duke ndenjur këtu ndë Misir, ndë mes   t'arapëve e t'arapkave, ndë pikë të vapës, kupëtova që s'i apij dot funt kurrë. Vërtet keshe kënduar te fleta «Liria»  se Klub' i Selanikut mpron të drejtat e kombit shqipëtar. Vërtet keshe msuar se Klub' i Manastirit paskej bërë një Kongres (ç'domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit^ dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë.

Po këto lajme s'ishnë mjaft për të gjetur mirë qëllimin e klubeve. Për këtë shkak, u menduaç të bëj një udhëtim, që të shoh me syt' e mi dhe të ndëgjoj me vesht' e mi ç'punë bëjnë dhe ç'dobi kanë për atdhenë.

U ngresh, pra, dhe ika nga Misiri dhe vajta ndreq ndë Selanik, ku me vrap kërkova dhe gjeta vendin tek gjendet Klub' i Shqipëtarëvet. Ndë të dukur,   klubi dukej mos më keq o zot,... po do të ketë ndofta anëtarë me kokë të fortë! Gjeta brenda gjer 40 vetë, të tërë myslimanë, asnjë të krishterë! Asnjë, s'ma vari torbën, se mjerisht nukë dije turçe dhe këndonin ga-zeta ndë këtë gjuhë. Shtiva sytë më të katër anët e klubit mos shohë nonjë librë a nonjë gazetë shqip.

Asnjë për zonë!

Rroftė Shqipėria e lirė! U shoftė Klub' i Selanikut se qėnka i xhonturqėve e, jo i shqipėtarėve! U shofshin tė tėrė klubet e Shqipėrisė, nė punojnė pėr xhonturqit dhe nė kanė pėr qėllim ēarje dhe armiqėsi ndimes tė shqiptarėve myslimanė e tė krishterė! Rroftė dashuria! Rroftė bashkimi!

“Pavijoni gjashtë” është titulli i një tregimi të shkurtër Anton Çehovit, botuar më 1892-shin. Duke u sjellë rreth konflikteve sociale dhe filozofike, ky tregim është i vendosur në një spital psikiatrik në provincë dhe eksplorn ndërveprimet që ndodhin mes një mjeku dhe banorëve të qytezës.  

Andrey Yefimitch Ragin është kryemjeku i qytezës de megjithëse pozita e tij është e favorshme, e gjen veten të shqetësuar nga mediokriteti që e rrethon. Dëshira  e ti je thellë për t’u zhytur  në bashkëbisedim intelektual, kënaqet nga një prej pacientëve në pavijonin psikiatrik të spitalit. Ky pavijon ka pesë pacientë, të cilëve u referohen si të përhënur dhe një ushtar që i detyron të sillen mirë. Mjeku rrallë e vizitonte pavijonin, por njëherë që e bëri, ai u mbërthye nga një pacient paranojak qqë e sfidoi pikëpamjen e tij për vuajtjen.

Ivan Gromov, megjithëse në një pavijon psikiatrik, ishe një nga banorët mendjekthjellët të qytezës, një njeri i artikuluar i aftë të angazhohej në një lloj bashkëbisedimi intelektual, të cilin doktori kishte kohë që  e kërkonte. Gromov denoncon padrejtësinë që sheh ngado, ndërsa Dr. Ragin ngulmon ta shpërfillë padrejtësinë dhe ligësitë e tjera; pjesërisht si rezultat i mënyrës së tij të të menduarit, ai neglizhon të ndreqë kushtet e këqija të pavijonin psikiatrik.

Për banorët e qytezës, ishte befasuese që mjeku kalonte aq shumë kohë në pavijonin psikiatrik. Për pasojë, fjalët u përhapën duke vënë në dyshim stabilitetin mendor të Raginit dhe nëse ishte apo jo i aftë të vazhdonte të ishte mjeku i qytezës. Ai i madh ishte shqetësimi i qytetarëve, sa krijuan një këshill për të gjykuar shëndetin mendor të Raginit dhe në fund e gjykuan të çmendur. Aty ku dikur ishin pesë të çmendur, u bënë gjashtë, duke i dhënë edhe titullin e librit Çehovit.

“Me këtë budallallëk të kthyer në precedent, na jepet edhe ne mundësia që, nesër  të themi “Nuk duam zgjedhje vendore, madje as zgjedhje të përgjithshme sepse “ashtu e kemi një punë”, sepse kemi informacione të sigurta, nga burime që si themi dot për një sulm bërthamor ndaj Shqipërisë. Përderisa zgjedhjet mund të mos bëhen kur nuk do një palë, ato mund të mos bëhen kurrë. Mirëpo shtetet demokratike kanë Ligje dhe Kushtetuta, nuk funksionojnë përveçse me parimin e barazisë së të gjithëve përpara Ligjit. Sot hidhet përpjetë një grup e nesër një tjetër duke e kthyer Shqipërinë skenën ku e ardhmja luhet si tek “Kumarxhiu” i Dostojevskit”, vijonte Rama në parlament, duke cituar një nga kryeveprat e letërsisë botërore.

Në romanin e tij të shkurtër, të errët dhe imponues, Dostojevski rrëfen historinë e Aleksej Ivanoviçit, një tutor i ri që punon në pronat e një gjenerali të perandorisë ruse. Aleksej përpiqet të kapërcejë murin e rendit të caktuar të Rusisë, por që zytet në spiralen e pafund të basteve dhe humbjes. Varësia e tij e tellë dhe pa shpëtim theksohet nga lidhja e tij me mbesën mizore, por shumë joshëse të gjeneralit, Polinën. Tek Kumarxhiu, Distojevski arrin lartësitë e dramës me këtë portret psikologjik, magjepsës.

Romani pasqyron varësinë e vetë Dostojevskit nga ruleta, që ishte në shumë mënyra edhe frymëzim për librin, të cilin e përfundoi së shkruari më 1866-n, me një afat strikt për të paguar borxhet nga kumari. “ Dhe besoja tek sistemi im...brenda një ccerek ore fitova 600 franga. Kjo ma shtoi oreksin. Befas nisa të humbas, nuk munda ta kontrolloj veten dhe humba gjithçka. Pas kësaj...mora paratë e fundit dhe shkova të luaj...Më entuziasmoi ai fat i pazakontë dhe i rrezikova të 35 napolonat dhe i humba të gjitha. Kisha gjashtë napolona floriri që më mbetën për  të paguar qiraxheshën dhe për udhëtimin. Në Gjenevë lashë peng orën”, i shkruante Dostojevski të vëllait, Mikhail.

“Dikush mund të thotë dhe fatkeqësisht e thonë jo pak njerëz që marrin përsipër të shpëtojnë Shqipërinë me recetat e tyre politike mediatike, si 1001 mbrapshtitë e Oliver Tuistit, që ne nuk është se e kemi respektuar aq shumë Kushtetutën dhe ligjet, sa të jemi tani kaq të ngurtë për t’i zbatuar”, citonte kryeministri romanin e dytë të shkruar nga Dikensi, në 1837-n.

Oliver Tuist është i famshëm kryesisht për portretizimin aspak romantik nga Dikensi,  të kriminelëve dhe jetëve të tyre të ndyra, si edhe për ekspozimin e trajtimit mizor t shumë jetimëve në Londrën e mes-shekullit 19.  Në këtë shembull të hershëm të romanit social, Dikens satirizon hipokrizitë e kohës së tij, përfshi punën e fëmijëve, rekrutimin e tyre si kriminelë dhe praninë e fëmijëve të rrugës.

Një tjetër që në fjalimin e tij ishte ndalur tek letërsia ishte edhe ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i cili e krahasoi situatën aktuale të politikës shqiptare me realitetin distopik në romanin e nobelistit portugez Jose Saramago.  “Shkurt hesapi, e gjithë kjo situatë më kujton romanin e Saramangos, “Verbëria”, i cili përshkruante veprimet e gabuara që nxisnin instiktet më të këqija njerëzore, mu siç po ndodh në Shqipërinë e këtyre ditëve. Zhgënjim me demokracinë, të vendosur pas juntës, çka më kujton gjithashtu një këshillë të një miku të huaj të Shqipërisë, i cili shpesh më thoshte që ‘100 vitet e para të demokracisë janë gjithmonë të vështira dhe janë sfiduese”, tha të enjten në Kuvend Bushati.

Ish-ministri i Jashtem Ditmir Bushati, duke folur gjatë një seance parlamentare.

“Verbëri” është një nga romanet më të famshëm të Saramagos, bashkë me “Ungjilli sipas Jezu Krishtit” dhe “Baltazari dhe Blimunda”.“Shpesh njerëzit tregohen të verbër, ose bëjnë sikur. Kjo është një nga arsyet që kam shkruar romanin tim “Verbëri””, shprehej dikur shkrimtari portugez, i sjellë në shqip nga botimet “Dudaj”. Një sëmundje përhapet në një qytet pa emër. Ka vetëm një simptomë: verbërinë. Vjen pa fanfara, pa zhurmë apo simptoma. Një çast një burrë pret në makinën e tij në dritat e trafikut, në tjetrin bota e tij është tretur në bardhësi. Ajo që vjen pas,  është një portretizim gozhdues i më së mirës dhe më së keqes në natyrën njerëzore.

Nëse “1984” i Oruell ishte tmerri i panoptikonit, i të vëzhguarit në mënyrë të pandërprerë, atëherë “Verbëria”  është e kundërta. Vizioni distopik i Saramagos është se vëzhgimi nuk ekziston. Këtu, kontrolli rregullator i qeverisë është pafuqishëm burokratik. Me askënd që është në gjendje të shohë, personazhet pa emër tek "Verbëri", janë zhytur n në një botë ku i forti shfrytëzon të dobëtin dhe ku, edhe morët më bazike sociale kanë humbur. Beteja për mbijetesë krijon ose amplifikon një verbëri sekondare, atë mendore, ku vetëm pak nga personazhet mund të përfytyrojnë një të ardhme përtej menaxhimit të nevojave të tyre imediate, fizike. E shohim historinë të shpaloset përmes syve të një gruaje në moshë të mesme, e njohur në libër vetëm si “gruaja e doktorit”. Është zakontësia dhe dhembshuria e saj, që i jep themel historisë dhe shton një rreze shprese asaj që ndonjëherë duket si errësirë e pandalshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë