Libra

Kur Karl Marksi shihte eksodin e shqiptarëve drejt Italisë

Karl dhe Xheni Marks të ringjallur, ulur në kanapenë e tyre në Hampsted, ndjekin  një dokumentar televiziv rreth zbarkimit të refugjatëve shqiptarë në një plazh privat italian... Ishin pikërisht pamjet e kronikave televizive me anije të mbushura plot shqiptarë që i arratiseshin vendit dhe varfërisë në kërkim të një jete më të mirë që e çuan shkrimtarin spanjoll Juan Goytisolo të shkruante më 1993-shin romanin “Saga e Familjes Marks”, një fiction surreal, i cili vjen në shqip me përkthimin e Bashkim Shehut, i cili prej vitesh jeton në Barcelonë, botuar nga “Pika pa Sipërfaqe”. Juan Goytisolo ka shkruar një roman brenda një romani, një vepër mbi pamundësinë për të shkruar një roman historik mbi Karl Marksin. Megjithatë bëhet fjalë gjithashtu për një libër që niset nga një bindje personale: Nuk ka asnjë doktrinë që mund t’i aplikohet shoqërisë si një zgjidhje e vetme për të gjithë problemet.

“Vepra nuk është as marksiste as antimarksiste, është një trill që mbledh mbetjet e mbytjes së atij procesi që u quajt socializëm dhe që preku miliona njerëz në të gjithë botën. Goytisolo aspiron të vijojë të thërrasë debatin, polemikën, jetën”, do të shprehej botuesi i tij spanjoll Joaquin Estefania, më 1993, kur libri u botua, duke shuar zërat e debatit  se vepra e Marksit po aktualizohet përmes mendimtarëve si Deleuze, Derrida dhe Goytisolo.Saga e Familjes Marks është një portret i familjes me histori, ose rrëfeja e historisë përmes një familjeje, asaj të Karl Marksit filozofit, i shpëtuar nga vetja, që asiston i indinjuar rrënimin e ideologjisë dhe rënien e prestigjit të mendimit të tij,  në fund të shekullit të 20-të.

Juan Goytisolo prodhon një kaleidoskop ku përzihen e shkuara dhe e tashmja, njerëz, vepra dhe diskurs dhe një angazhim i guxuar kritik,  që insiston të kthejë në rrëfenjë realitetin që prej kurthit bazik, nga i cili Marksi dhe të tijtë ( përfshi dhe armiqtë historikë) vazhdojnë të jenë të gjallë dhe mendimtarë, edhe pse tashmë të pafuqishëm, duke parë televizor dhe duke konstatuar rënien e komunizmit. Botuar më 1993-shit, njëqind vjet pas vdekjes së Karl Marksit, romani pati jehonë në vende si Anglia, ShBA, Kanadaja , Gjermania dhe Franca, kritikët e të cilëve e konsideruan si “një prej librave më pak të ngatërruar dhe më argëtuesit e Juan Goytisolo”. Gjithashtu e quajtën “një aventurë letrare e destinuar të ripohojë vlerën e tekstit përballë kulturës së imazhit”, “një libër i mbushur me humor dhe dituri, me jehona të Suift dhe Servantes, që përzien në mënyrë të admirueshme imagjinatën dhe dokumentimin”. Ironike, sarkastike, lojcake dhe e tepruar deri në dalldi, “Saga e Familjes Marks”, është një roman gëzueshëm anakronik që i jep në goditje biografisë historike.

Poeti, eseisti dhe romancieri Juan Goytisolo Gay u lind më 5 janar të 1931-shit. Ai ka jetuar në Marrakesh nga viti 1997 deri në vdekjen e tij, më 2017-ën. Është konsideruar si shkrimtari më i madh i gjallë spanjoll i fillimit të shekullit të 21-të, edhe pse ka jetuar jashtë Spanjës prej viteve ’50. Në nëntor të 2014-ës atij iu akordua çmimi Servantes, çmimi më prestigjioz letrar në botën spanjisht folëse. Juan Goytisolo u lind në një familje të shtresës së lartë. Ai deklaronte se niveli i statusit, i shoqëruar nga mizoritë e  stër-stërgjyshit dhe koprracisë së gjyshit të tij ( zbuluar nga leximi i letrave dhe dokumenteve të familjes), ishte një arsye madhore që ai iu bashkua partisë Komuniste në rininë e tij. I ati i tij u burgos nga qeveria republikane gjatë luftës civile të Spanjës, ndërsa e ëma, Julia Gay, u vra gjatë sulmit të parë ajror frankist në Barcelonë, më 1938-ën. Ai më pas ndoqi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Madridit dhe në Universitetin e Barcelonës, por e la pa marrë diplomën.

Shkrimtari spanjoll Juan Goytisolo

Një penë në kundërrymë që prej trilogjisë së formuar nga “Shenja Identiteti”, “Don Juliani dhe Juani”  pa tokë, që e vendoi mes autorëve më të mirë të letërsisë spanjolle bashkëkohore, vepra narrative e Juan Goytisolo  ka prekur territore të pa eksploruara,  që vënë në pyetje gjithnjë e më shumë zhanrit e fiksionit. Ky vullnet për të shkuar në kundërrymë ka ndihmuar në menaxhimin e teksteve aq të veçanta si Makbara (1980), Virtytet e zogut vetmitar (1988), Karantina (1991), Saga e Familjes Marks (1993), Vendi i vendeve (1995), Javët e kopshtit(1997), Carajicomedia (2000), Perdja e gojës (2003) i mërguari nga këtu dhe atje (2008). Ai gjithash njihet si eseist, me vepra si “Kundër formave të shenjta” (2007) apo “Genet en el Raval” (2009).

Zbuloni sesi reagon Karli ndaj rënies së sistemeve që Josif Vizionaroviç me kompani ndërtoi në fjalën e tij. Marksi viziton skenat e triumfeve të mëparshme në Moskë, ku gëlojnë bluzat MacLenin dhe liria e hamburgerëve janë gjithë bujë dhe kthehet në pritjen e ngrohtë të Hampstedit dhe ballon e filmuar nga kamerat për një Baroneshë të kuqe, që bëhet subjekti i një emisioni të së shtunës mbrëma me një seksologe feministe nga universiteti i UCLA, një anarkist nga Lufta civile e Spanjës...por botuesi i narratorit, urbani, duhanpirësi me çibuk, z.Faulkner, dëshiron një roman best-seller, një histori për të qenë me fakte të vërteta dhe përshkrime që të copëtojnë zemrën rreth familjes së Marksit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë