Politike

Kur ka frikë Edi Rama dhe kërkon ndjesë?

“Në rastin konkret, unë pa e parë fola me një paragjykim dhe kam bërë gabim. Kam bërë gabim pa dashje dhe e pranoj që kam bërë gabim”. Me këto fjalë, Edi Rama pranonte në nëntor të 2017 një gabim që kishte bërë kur iu referua me termin “kazan” gazetarëve italianë të “Le Iene”, për transmetimin e një investigimi që tregonte fëmijë duke punuar në galeritë e kromit në Bulqizë.

Rama ishte në shtëpinë e Shaqir Toskës në Bulqizë Fshat, ku me një gotë raki përpara komentoi investigimin e mediave italiane.

“Me erdhi inat me ca italianë, se edhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë me Bulqizën me filmime të vjetra me fëmijë që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot, kjo nuk është më si fenomen. Ka raste sporadike, por s’është më. Ishin filmime të vjetra dhe e nxjerrin atje ja Shqipëria. Tmerr! Ça të thuash”, deklaronte ai me bindje në atë kohë.

Ndjesa që pasoi këtë koment u detyrua nga reagimi i gazetares investigative italiane, Alice Martinelli, e cila ishte autorja e një pjese të mirë të reportazhit, duke ndjekur nga afër një ditë pune të minorenëve në galeritë e kromit.

Ky ishte një prej rasteve, ndoshta më i bujshmi për shkak se tejkaloi kufijtë e Shqipërisë, por nuk ishte i vetmi ku Kryeministri gabonte dhe më pas kërkonte ndjesë.

Që prej ardhjes në pushtet, në vitin 2013, ndjesa është një ndër fjalët më të përdorura të Edi Ramës. Në fjalimet dhe postimet në rrjetet sociale kjo fjalë haset shpesh, drejtuar qytetarëve shqiptarë edhe për gabime të qeverive paraardhëse.

Nga protesta kunder armeve kimike ne 2013

Por, ndjesat më të mëdha të Edi Ramës janë dy dhe që të dyja ato kanë mbërritur nga protestat. E para u bë pak muaj pasi ai kishte ardhur në pushtet dhe lidhej me armët kimike siriane. Qindra protestues u mblodhën në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ato ditë për të kundërshtuar ardhjen e këtyre armëve në Shqipëri për çmontim dhe kërkonin më shumë transparencë nga Qeveria.

Protesta u mundua të shfrytëzohej nga opozita, por drejtuesit e saj u refuzuan nga protestuesit. Edi Rama e cilësoi protestën një “dallandyshe shprese”, tha se duke qenë se bëhej fjalë për një operacion ushtarak e kishte të pamundur që kjo temë të diskutohej publikisht dhe pasi kërkoi ndjesë për të gjitha këto, në fund njoftoi vendimin e refuzimit të këtyre mbetjeve.

Rasti i dytë i ngjashëm mbërriti në mandatin e dytë të tij si Kryeministër. Në mars të këtij viti u ngrit trau në Rrugën e Kombit. Protestuesit, kryesisht kuksianë kundërshtuan tarifat e vendosura si tejet të larta dhe në protestë e sipër dogjën sportelet e vendosura atje.

Foto nga protesta e marsit kunder tarifave ne Rrugen e Kombit

Qeveria u tërhoq nga tarifat fillestare. Edi Rama i quajti protestuesit që u vunë zjarrin sporteleve “vandalë”, që do të japin llogari për veprimet e tyre, ndërsa i ka kërkuar ndjesë pjesës tjetër për mungesën e një sqarimi të plotë për tarifën e Rrugës së Kombit.

Këto janë rastet e ndjesës së detyruar nga protesta, por Rama ka kërkuar edhe plot herë të tjerë falje e tërheqje nga vendime të mëparshme, i nxitur nga reagimi i qytetarëve dhe perceptimi i publikut.

I tillë ishte rasti kur plasi doli në media plani i qeverisë për të ndërtuar hidrocentrale në kaskadën e Lumit Osum. Rama u tërhoq kërkoi ndjesë dhe tha gabuam. Të njëjtën gjë bëri edhe pas denoncimit për një ndërtim të nisur në Lumin e Vjosës.

Kryeministri u ka kërkuar ndjesë qytetarëve edhe për gjuhën e përdorur në Kuvend në rastin kur zgjodhi fjalët nga greqishtja “Qirje” (zotëri) dhe “palikari” (trim), kur iu drejtua Vangjel Dules dhe Sali Berishës në një debat të ndezur për planin urbanistik të Himarës.

Një tjetër ndjesë dhe pranim gabimi i Kryeministrit është edhe ajo e qershorit të vitit të 2017. Vendi ishte në fushatë elektorale dhe nga një tubim në Kuçovë, Edi Rama u kërkon punonjësve të Policisë së Shtetit që të angazhohen e të mbledhin vota për Partinë Socialiste, thirrje që bie ndesh me pikën 2 të nenit 4 të ligjit për policinë, që e depolitizon këtë institucion.

Nga një vështrim i përgjithshëm, Rama kërkon ndjesë në tre raste. Së pari kur u drejtohet shqiptarëve për punët e munguara duke u justifikuar me qeveritë paraardhëse. Së dyti, kur shtohet presioni mediatik për një vendim a shkelje dhe në fund por më kryesorja kur protestohet e kundërshtohet masivisht nga qytetarët. Me pak fjalë kur protesta i mbërrin poshtë dritares kryeministrore dhe opozita nuk është në to.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë