Histori

‘Kur ishte Sanremo, të gjithë mbylleshim në shtëpi dhe e dëgjonim në radio’ – Si u prodhua ‘Iliria’, radioja e parë shqiptare

Nga Gazeta Si - Sot është dita botërore kushtuar radios. Kjo datë u vendos nga shtetet anëtare të UNESCO-s, në 2011 dhe u pranua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në 2012. Radioja është një media e fuqishme, e cila ka përballuar me sukses edhe ndryshimet që solli epoka e dixhitalizimit. Në Shqipëri radioja e parë shqiptare u themelua më 28 nëntor 1938 gjatë një ceremonie ku mori pjesë Mbreti Ahmet Zogu. Ai inauguroi stacionin e parë radiofonik në Shqipëri.

Rreth 30 vjet më pas, në Shqipëri u prodhua edhe radioja e parë “Made in Albania”. Më 1 janar 1965 u krijua uzina “NISH EMD” në Durrës dhe aty u prodhua edhe radio e parë që u pagëzua “Iliria”.

Por si rodhën ngjarjet drejt kësaj nisme?

Spiro Konduri, inxhinier zëri në radio dhe në filmin shqiptar ndër vite, teksa kujton historinë e prodhimit të radios së parë shqiptare, thotë se radio “Iliria” lidhet me Uzinën e Radios dhe Televizorëve që ishte në Durrës.

“Në Durrës u hap një uzinë elektro-teknike, URT quhej. Gjëja e parë që prodhuan ishte radio ‘Iliria’. Ishte me bateri dhe me përmasa jo të vogla. Për atë kohë ajo ishte shumë e mirë. Prodhimi i asaj radioje shënoi një bum atëherë, sepse mezi gjendeshin radio në atë kohë”, shprehet Konduri për Gazetën “Si”.

Prodhimi i parë daton në vitin 1965. Ajo u prodhua nga mjeshtrit Ali Çitaku, Agim Fishta dhe Kristaq Ekonomi, të cilët me pjesët që gjetën në disa ndërmarrje bënë radion e parë. Kjo do të pasonte edhe prodhimin e radiove të tjera brenda muajit. 

Spiro Konduri jep dhe detajet e radios së parë shqiptare.

“Radiot ‘Iliria’ ishin pak të vështira për t’u marrë me vete, për t’u transportuar ishin pak të mëdha. Bateritë i kishin shumë të mëdha dhe të rënda. Bateritë prodhoheshin në Uzinën e Gramshit, ishte një uzinë që prodhonte bateri për ushtrinë, prodhoi dhe për radion”.

Spiro Konduri, inxhinier zëri

Në atë periudhë të largët, Konduri kujton që evenimente nuk kishte, ndaj prodhimi i kësaj radioje ishte me rëndësi të veçantë për të gjithë njerëzit.

“Atëherë s’kishte evenimente dhe radioja ishte një bum. Gjëja më e mirë që mund të bëje në atë kohë ishte të dëgjoje radio. P.sh, kur ishte Sanremo në ato kohëra, në Tiranë, të gjithë mbylleshin dhe dëgjonin në radio. Kishte njerëz që e merrnin radion edhe në plazh”, vijon më tej Konduri.

Sipas tij, radiot e para patën disa probleme të vogla, por ato nuk ndikuan aspak në uljen e vullnetit për të prodhuar.

Përgjithësisht teknikët në prodhimin e radiove morën modelet italiane.

“Në Shkozet apo në magazinat e komunales kishte shumë pajisje për radio e televizorë. Ato ishin pjesë të mira kineze, jugosllave, gjermane etj. Specialistët e teknikët i adaptonin pa shumë vështirësi, nisur edhe nga përvoja e fituar si dhe mendimi i kualifikuar”.

Prodhimi në URT (Uzinën e Durrësit)

Në Uzinën e radiove dhe Televizorëve në Durrës u prodhuan disa dhjetëra tipe radiosh, televizorësh, magnetofonësh, stabilizatorësh e aparatesh të tjera matjeje, kontrolli, komandimi etj., duke plotësuar gjerësisht nevojat e vendit.

Në më shumë se 5 mijë m² shtrihej uzina në të cilën u punësuan 1500 teknikë e specialistë.

Përveç radiove u prodhuan edhe televizorët e parë në vitin 1968. Të gjitha pjesët ishin të magazinave të vendit, ndërsa materiali nga importi do të niste të vinte në vitet ‘70. Të 120-130 televizorët e parë do të pëlqeheshin shumë, kurse teknikët e inxhinierët do të fillonin të shihnin më tej mundësitë e modifikimit të mëtejshëm të tyre.

Për shkak të kërkesës së madhe në treg u rrit edhe sasia e prodhimit, e cila shkoi deri në 9000 radio në vit dhe 6000 televizorë. Një radio shitej mesatarisht 5 mijë lekë, televizori bardhë e zi 45 mijë lekë dhe ai me ngjyra 60 mijë lekë. Televizorët jepeshin vetëm me autorizim. Uzina arriti që të prodhojë edhe bobina për transformatorët e tensionit të lartë dhe një hap i tillë u cilësua si sukses për kohën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë