Futboll

Kur do të fitojë Kombëtarja?

Ajo fitore 0-2 në Bjellorusi u duk si një sinjal premtues për një Shqipëri ndryshe, më kompetitive dhe të aftë për të bërë një hap përpara në stadin e saj. Por “tullumbacja” kuqezi u shfry shpejt, me tre zhgënjime radhazi, edhe pse ky në Lituani vetëm sa i takon rezultatit, pasi loja ishte goxha më e mirë.

Humbja me Lituaninë në “Air Albania Stadium” na tregoi se nuk është ajo Shqipëri që menduam pas fitores në Minsk. Lojë e dobët, një gafë dhe tri pikë të humbura në shtëpi. Më pas trajneri Edi Reja erdhi me shumë ndryshime në listë, disa për dëmtime dhe disa të tjera për ndryshimin e brezave. Italiani e pohoi vetë dy ditë më parë se Federata i kërkuar ingranimin e lojtarëve të rinj dhe ai këtë po bën, por zakonisht objektivi përcaktohet para nisjes së një kompeticioni dhe jo gjatë tij.

Nga ndeshja Lituani-Shqipëri, 0-0. Bare në aksion. Gazeta Si, 15 tetor 2020

Një pikë me nivel të dobët loje në Kazikastin, ku më së shumti skuadra kërkoi të largonte frikën e një tjetër humbjeje, që do ta rëndonte më tepër situatën. Tani pika në fushën e Lituanisë, ku të paktën loja kishte rritje. Gjithsesi, ajo që shqetëson në këtë moment ka të bëjë me faktin se Kombëtarja ka harruar të shënojë dhe të fitojë.

Janë tri ndeshje radhazi që kuqezinjtë nuk po e gjejnë rrugën e rrjetës dhe pa dyshim që në këtë pikë trajneri Reja ka përgjegjësitë e veta. Pozitat e trajnerit Reja mund të lëkundeshin fort në këtë situatë, por italianin 75-vjeçar e “mbrojnë” numrat. Vendi i 2-të në grup me 5 pikë i japin ende shanse për vendin e parë, por trajneri me përvojë duhet të qartësojë përfundimisht objektivin parësor: kreun e grupit, apo rinovimin e skuadrës.

Nëse zgjedh të parin, duhet patjetër të fitojë dy ndeshjet e fundit në shtëpi. Kontigjenti i futbollistëve është i bollshëm dhe mungesat nuk janë justifikim, pavarësisht se bëhet fjalë për lojtarë me peshë si Hysaj, Gjasula, Cikalleshi, Uzuni, Sadiku e të tjerë. Tifozët shqiptarë, me lojtarët që ka skuadra jonë, duan të shohin gola dhe të përjetojnë emocionet e fitores. Kur do t’ua dhurojnë Kombëtarja dhe Reja këtë kënaqësi? Për italianin veteran është ngushtuar “laku”…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë