Futboll

Kuqezinjtë në Europë/ Bajrami më i vlerësuari, pozitiv rikthimi i Brojës dhe Asanit

Gazeta Si - Fundjava që lamë pas ka dhënë disa sinjale pozitive nga lojtarët e Kombëtares që luajnë në klube të huaja. Katër prej tyre kanë gjetur rrugën e rrjetës, ndërkohë që lajm i mirë për trajnerin Silvinjo është se Broja dhe Asani kanë filluar të luajnë me klubet.

Ai që bëri paraqitjen më të mirë ishte Nedim Bajrami, autor i një goli dhe një asisti për Sasuolon në barazimin 2-2 kundër Salernitanës. Bajrami mori vlerësimin më të lartë nga lojtarët e skuadrës së tij, ku u aktivizua edhe Marash Kumbulla.

Rrugën e rrjetës e kanë gjetur në fundjavë edhe sulmuesit Rei Manaj dhe Taulant Seferi. Manaj shënoi golin e fitores për Sivasporin në takimin me Karagumruk, duke u ngjitur në kuotën e 16 golave. Në Turqi shënoi edhe Odise Roshi, mesfushori që luan për Sakariaspor. Seferi shënoi në Emiratet e Bashkuara Arabe golin e vetëm për Bani Yas në humbjen 3-1 ndaj Al Uahda.

Për skuadrën e tyre luajtën titullarë Elhan Kastrati, Berat Gjimshiti, Enea Mihaj, Frederik Veseli, Jon Mersinaj, Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Arbnor Muçolli dhe Sokol Cikalleshi. Pozitiv për trajnerin Silvinjo është fakti se Armando Broja dhe Jasir Asani janë grumbulluar më në fund nga klubet e tyre dhe kanë luajtur disa minuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë