Futboll

Kupa/ Kukësi dhe Teuta lënë gjithçka të hapur për në aktin e dytë

Ashtu siç ishte parashikuar, Kukësi-Teuta, një nga çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë, ishte një sfidë mjaft e ekuilibruar. Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave, e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, u mbyll në barazim, 0-0. Gjithçka ka mbetur e hapur për në ndeshjen e kthimit, që do të zhvillohet në “Niko Dovana” të Durrësit.

Kukësi, që kishte rastet të pastra shënimi në pjesën e parë, humbi sulmuesin kryesor, Vasil Shkurtaj, që në fillimin e ndeshjes, për shkak dëmtimi. Vendin e tij e zuri Kuper, por rrezikshmëria e kuksianëve në zonën kundërshtare nuk ishte njësoj si me Shkurtajn. Teuta bëri lojën e saj të zakonshme dhe ky barazim në fushë kundërshtare e ngre më shumë moralisht. Mbrojtësi Kuros u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes dhe nuk do jetë i gatshëm për trajnerin Martini në ndeshjen e kthimit.

Nga ndeshja Kukësi-Teuta. Kuper zëvendëson Shkurtajn. Gazeta Si, 3 korrik 2020

Kualifikimi mbetet plotësisht i hapur. Teuta ka favorin e fushës në ndeshjen e dytë, ndërsa Kukësit do t’i mjaftonte edhe një barazim me gola për veç fitores, për të shkuar në finale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë