Futboll

Kupa e Shqipërisë/ Luhen sot gjysmëfinalet e para, vëmendja tek Egnatia-Vllaznia

Gazeta Si – Luhen sot (ora 15:00) dy ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, një kompeticion i rëndësishëm që të jep mundësinë për të shkuar në Europë me një rrugë më të shkurtër.

Tirana, që po vuan në kampionat, ndeshet me Kukësin e vendit të fundit në Superiore. Favoritë në letër janë kryeqytetasit, por asgjë nuk është e sigurt, sidomos po të kemi parasysh faktin se Kukësi eliminoi Partizanin në çerekfinale.

Një sfidë mes të barabartësh konsiderohet ajo mes Egnatias dhe Vllaznisë, dy skuadrave që kryesojnë renditjen në Superiore. Akti i parë luhet sot në Rrogozhinë dhe Egnatia për këtë ndeshje ka më shumë shanse. Vjen pas një fitoreje dhe është më mirë fizikisht dhe moralisht.

Vllaznia, që deri dy javë më parë shihej si skuadra më në formë e kampionatit, në dy ndeshjet e fundit ka çaluar, duke shfaqur shenja lodhjeje. Shkodranët pritet të reagojnë sot, por përballë kanë një kundërshtar shumë të fortë.

Ndeshjet e kthimit luhen pas dy javësh. Tirana kërkon të shpëtojë sezonin me Kupën dhe kalimin në finale e ka detyrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë