Futboll

Kupa e Italisë/ Interi s’e çan dot bunkerin, Juventusi në finale për herë të 20-të

Pas humbjes 1-2 në fushën e vet, skuadra e Kontes dominon Juventusin në Torino, por nuk arrin të shënojë dhe dështon kështu në një tjetër objektiv sezonal. CR7 me shokë, pas barazimit 0-0, janë finalistët e parë të Kupës së Italisë, ku më 19 maj do të sfidojnë Atalantën ose Napolin. Bardhezinjtë do të luajnë në finale për herë të 20-të.

Juventus-Inter dukej një film i parë, me zikaltrit që dhanë gjithçka në fushë, si në pjesën e dytë të ndeshjes së parë, por u përplasën me murin bardhezi. Diferencën sa i takon kualifikimit e kanë bërë dy gabimet e së martës së shkuar. Pa Bonuçin, Pirlo i kërkoi Bentankurit të qëndronte afër Demiralit dhe De Ligtit. Danilo dhe Aleks Sandro ndihmuan më shumë mesfushën, ndërsa Kuadrado shpesh spostohej në qendër, duke ia lehtësuar punën Darmianit.

Nga ndeshja Juventus-Inter, 0-0. Gazeta Si, 9 shkurt 2021

Konte i besoi Eriskenit një fanellë titullari. Loja nuk pati ritëm të lartë, me Juventusin që bëri qarkullim horizontal të topit për ta nxjerrë Interin përpara, por kundërshtari nuk u “peshkua”. Zikaltrit ishin gati për të sulmuar shpejt nga e djathta me Hakimin, që u ndal nga mbrojtësit disa herë. Lukaku dhe Lautaro humbën raste për ta zhbllokuar ndeshjen. Belgu këtë herë vuajti ndaj De Ligt, po aq i fortë sa ai, por më i shpejtë. Ronaldo rrezikoi në fundin e pjesës së parë, por De Vrij dhe Handanoviç u treguan të kujdesshëm.

Interi këmnëguli më shumë në pjesën e dytë, por gjeti një Juventus të vendosur mirë prapa. Bunkeri bardhezi mbeti i fortë, ndërsa Pirlo reagoi nga stoli me MekKenin. Dhe amerikani nxorri Ronaldon përpara Handanoviçit, i cili e ndali portugezin. Edhe Konte bëri ndërrimet e tij, por asgjë nuk ndryshoi. Tani Interit i mbetet vetëm kampionati për të shpëtuar sezonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë