Futboll

Kupa e Amerikës në ethet e Covid, 41 pozitivë dhe 4 skuadra të përfshira

“Jemi të shqetësuar, mund të ndodhë gjithçka”. Alarmi i lëshuar nga Lionel Mesi para nisjes së Kupës së Amerikës është pasuar nga shifrat e shpërndara nga Ministria e Shëndetit në Brazil, që ka publikuar rezultatet e tamponëve të kryer javën e fundit për lojtarët, stafet dhe punëtorët e 10 delegacioneve që marrin pjesë në këtë turne. Në 2927 teste kanë dalë pozitivë 41 raste, nga të cilët më shumë se 20 janë futbollistë të infektuar.

Ministria nuk e ka zbuluar numrin e saktë, por së fundi federata venezueliane ka bërë me dije mungesën e 10 sportistëve, kurse ajo boliviane të 5 rasteve pozitive. “Situata është nën kontroll”, - sigurojnë në Brazil, por në fakt janë të shumtë ata që nuk po e bëjnë gjumin të qetë.

Më shqetësuese është situata te Venezuela, që u bë vatër infeskioni 24 orë para ndeshjes së parë kundër Brazilit. Pak a shumë, në të njëjtën situatë është edhe Cesar Farias, trajneri i Bolivisë, ku lojtarët e infektuar janë 4. Të njëjtat probleme kanë edhe Peruja dhe Kolumbia, me një total prej 7 rastesh mes stafit dhe lojtarëve.

Gjasat janë që të ketë raste të reja në vazhdim. Zgjidhja që ka dhënë Conmebol është autorizimi për të thirrur lojtarë të tjerë për zëvendësimin e atyre që infektohen në çdo moment të turneut. Rreziku mbetet i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë