Futboll

Kupa e Amerikës/ Argjentina në çerekfinale, kualifikohet edhe Kili (video)

Në xhiron e tretë të fazës në grupe të Kupës së Amerikës, Argjentina ka siguruar kalimin në çerekfinale, pas fitores 1-0 ndaj Paraguajit, falë një goli të Papu Gomezit që në minutën e 10-të. Kalon në fazën tjetër edhe Kili, pas barazimit 1-1 me Uruguajin. Kili shënoi i pari me Edu Vargas, ndërsa në pjesën e dytë Vidal shkaktoi një autogol.

Edhe këtë herë Argjentina nuk ishte brilante në fushë, por solide. Fitorja minimale ndaj Paraguajit i ka dhënë vendin e parë në Grupin A, me 7 pikë, duke u kualifikuar një ndeshje para kohe. Di Maria filtroi një top të bukur për Papu Gomez, i cili kaloi Antoni Silvën me një prekje delikate. Ky ishte goli që vendosi ndeshjen.

Në këtë ndeshje Mesi ka barazuar rekordin e Maskeranos për numrin e ndeshjeve të luajtura me fanellën e Argjentinës, 147 ndeshje. Ai iu afrua golit të dytë me një goditje dënimi, por nuk ia doli. Në fund të pjesës së parë argjentinasve iu anulua me VAR një gol për pozicion jashtë loje. Në pjesën e dytë Argjentina e administroi mirë lojën dhe gjithçka u mbyll 1-0. Ndeshja e fundit në grup është ajo me Bolivinë, ku trajneri Skaloni ka mundësinë të eksperimentojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë