Futboll

Kupa e Amerikës 2024/ Argjentina me Kilin në grup, Brazili ‘peshkon’ Kolumbinë

Gazeta Si – Turneu do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga 20 qershori deri më 14 korrik, në të njëjtën kohë me Europianin. Kampionët në fuqi të botës dhe Seleçao mund të takohen vetëm në finale.

Numërimi mbrapsht për Kupën e Amerikës 2024 ka filluar zyrtarisht. Është hedhur shorti i grupeve për këtë event, në bazë të këtyre kritereve: 4 koka vazosh (Argjentina, Brazili, Meksika dhe SHBA-të), si dhe nuk mund të ishin në të njëjtin grup 3 skuadra të Concacaf ose Conmebol, me Brazilin dhe Argjentinën që kryqëzohen mundësisht vetëm në finale.

Këto dy kombëtare në fakt do të luajnë në dy brigje të ndryshme të SHBA-ve, që presin këtë turne. Pas shortit të hedhur në Majemi, Argjentina ra në Grupin A, bashkë me Kilin, kurse Brazili në grupin D, me Kolumbinë. Finalja do të zhvillohet në Majemi.

Grupi A: Argjentinë, Peru, Kili, fituesi i Kanada-Trinidad Tobago.
Grupi B: Meksikë, Ekuador, Venezuelë, Xhamajkë.
Grupi C: SHBA, Uruguai, Panama, Bolivi.
Grupi D: Brazil, Kolumbi, Paraguai, fituesi i Honduras-Kosta Rika.

Ndeshjet shtesë do të luhen në muajin mars, gjatë ndërprerjes për ndeshjet e kombëtareve. Formula parashikon 4 grupe me nga 4 skuadra.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë