Politike

Kundërpropozimi i serbëve: Marrim Veriun, mbajmë edhe Luginën

Edhe në Beograd është mirëpritur propozimi i Hashim Thaçit për korrigjimin e vijës kufitare, që në termat e përdorur prej serbëve është ende një vijë ndarëse administrative. Në një pikë, edhe serbët, të paktën Qendra për Studime Euro-Atlantike, CEAS bashkohet me atë të Presidentit të Kosovës: jo heqje të vijës ndarëse sipas etnisë.

Për këtë, në një raport prej 40 faqesh të publikuar online, Qendra për Studime Euro-Atlantike propozon rishikim të kufirit të vendosur në fund të luftës, pas zbarkimit në terren të trupave të NATO-s në Kosovë, por diametralisht kundër kendvështrimit të Presidentit Hashim Thaçi.

“Hapi i parë është që të merret si e mirëqënë mundësia e korrektimit të vijës administrative mes Serbisë dhe Kosovës, sidomos në veri të Kosovës, përfshirë Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviçi. Janë katër komuna me popullsi serbe. Në këmbim, Serbia mund të ofrojë krijimin e një bashkësie të komunave shqiptare në jug”, thotë kjo Qendër.

Në raportin e saj, kjo qendër deklaron se jo domosdoshmërisht kalimi i këtyre katër komunave si pjesë e territorit serb do të thotë shkëmbim me komuniat që janë me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, duke iu referuar këtu Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

“Propozimi për të korrektuar vijën administrative nuk ka të bëjë me idenë e delimitimit sipas përbërjes etnike, por mbërrin si ide, sepse as Perëndimi dhe as Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e ka të qartë se sa duhet të ndëshkohet ende Serbia për krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë”, thuhet në raport.

Kjo qendër kërkon që Serbia të investojë për mirëqënien dhe zhvillimin e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe si shembull sjell rastin e Kryeministrit Zoran Gjingjiç në vitin 2001.

“Zoran Gjingjiç arriti që të zgjidhë në kohë rekord konfliktin që shpërtheu në 2001 në Luginën e Preshevës. E bëri këtë duke dialoguar, duke njohur të drejta dhe në bashkëpunim me NATO-n”, kujton CEAS.

Sa u takon çështjeve që mund të pengojnë realizimin e këtij skenari, Qendra për Studime Euro-Atlantike në Beograd propozon mbajtjen e një konference ndërkombëtare nën patronazhin e NATO-s.

“Për çështjet të diskutueshme, si në rastin e ujëmbledhësit të Gazivodës, që kontribuon masivisht në furnizimin me ujë të Kosovës dhe që në rast të korrektimit të vijës administrative, pjesa më e madhe e tij do të kalonte nën juridiksionin e Serbisë dhe vetëm një pjesë e vogël do të mbetej si pjesë e Kosovës, por edhe për çështje të tjera, me rëndësi të për Perëndimi dhe për NATO-n mund të diskutohej dhe gjehej zgjidhja përmes një konference ndërkombëtare”, propozon CEAS.

Raporti shtjellon më tej idenë e zhvillimit të një konference ndërkombëtare. Thotë se palë në këtë konferencë duhet të jetë Shqipëria dhe jo Kosova.

“Menjëherë sapo vija administrative të jetë korrigjuar me marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të ftohen në konferencën ndërkombëtare Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja dhe Kroacia. Në këtë konferencë mund të gjenden kompromise për të mbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet dhe mëritë për vijën kufitare”, thuhët në raport.

Qendra për Studime Euro-Atlantike thotë se kjo është zgjidhja më e mirë për rajonin dhe sipas saj, do të shmangte mundësitë që ekstremistë si Milorad Dodik të ndërmerrnin veprime konfliktuale të mbështetur edhe nga Kremlini.

Qendra e bën të qartë se propozimi i saj nuk gjen një mbështetje të madhe në Beograd.

“Nuk duhet injoruar fakti që qeveria aktuale në Serbi, sipas sondazheve, gëzon mbështetjen e pjesës më të madhe të qytetarëve serbë, por nuk e ka mbështetjen për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën sipas mënyrës që pret Perëndimi. As për propozimin tonë mbështetja nuk është e madhe dhe faktorët janë disa, që nga Kisha Ortodokse, partitë dhe organizatat ekstremiste të djathta, agjencitë e sigurimit që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe kërcënojnë publikisht Presidentin Vuçiç për dialogun me Brukselin”, shkruan në raportin e saj CEAS.

Raporti paralajmëron se nëse nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë për Kosovën, Serbia mund të braktisë rrugën drejt integrimit europian dhe të afrohet akoma më shumë me Rusinë, Kinën dhe Turqinë, vende me të cilat ka një raport të pazakontë ekonomik e tregtar.

Qendra thotë se propozimi i saj është një propozim pa humbës, por me fituese të dyja palët. “A mund të prodhojë Ballkani Perëndimor një marrëveshje pa humbës në 2018?”, pyet CEAS në fund të raportit të vet.

Qendra për Studime Euro-Atlantike, CEAS, është një qendër studimore e themeluar në vitin 2007 në Beograd. E përshkruan veten si Qendër progresiste me moton “progres, vendosmëri, ndikim”. Propozimi i saj nuk është zyrtar, por në raport thuhet se për të janë vënë në dijeni si në Bruksel, ashtu edhe në Ushington


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë