Menaxhim

Kumbaro: Në 2024, instrument i ri për statistikat e turizmit. Po formalizojmë taksën e fjetjes

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro njoftoi sot pas mbledhjes së qeverisë se vitin e ardhshëm do të kemi një metodologji të re të sistemit të statistikave në turizëm.

“Kemi filluar ndryshimet në ligjin e turizmit që është ende në javë konsultimi. Jo vetëm në sektorin e hotelerisë por edhe të operatorëve turistikë detarë, 2023-shi ka shënuar një përmirësim në dimensione 70-80%. Në 2021-shin kishim 11 operatorë detarë të certifikuar, sot mbi 100, kjo si pasojë e kontrollit shumë të fortë që është ushtruar.

Statistikat që nxjerrim tani i bëjmë si kryqëzim të burimeve të ndryshme nga INSTATI, nga tatimet nga Ministria e Financave dhe nga bashkitë.

Por ekziston në botë një instrument i dedikuar për turizmin si një platformë ku kryqëzohen të dhënat online nga pushteti vendor, sektori privat dhe pushteti qendror. Ky instrument është duke u ndërtuar. Për vitin 2024 do ta kemi të gatshëm për të parën herë atë që quhet Satellite Account of Tourism(SAT) dhe e radhit Shqipërinë në vendet me sukses në turizëm”, deklaroi ajo.

Gjithashtu Kumbaro theksoi se po punojnë për të formalizuar taksën e fjetjes ndonëse nuk ndau shumë hollësi.

“Hotelet duhet t'i paguajnë bashkive taksë fjetje për çdo turist që kalon një natë në territorin e asaj bashkie në këta struktura. Jemi duke parë në sistem transformimin për ta formalizuar dhe digjitalizuar”, deklaroi ajo.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë