Lajme

Kumbaro i lë vendin Margaritit: Kam punuar si të ishte dita e fundit 

Me shqetësimin se do të ishte dita e fundit e do i mbeteshin punët në mes, të pakryera, tha se kishte punuar në afro gjashtë vite, në drejtimin e Ministrisë së Kulturës. Por në ceremoninë e lamtumirës, në paraditen e 18 janarit, ku i ka kaluar detyrën pasueses së saj, arkitektes Elva Margariti, Mirela Kumbaro, kuptoi se ishte bërë kështu ministrja më jetëgjatë e Kulturës, qysh prej vitit 1992.  

“Ajo që nuk kisha arritur të artikuloja më parë, sikurse e bëra kësaj radhe, ishte që pa e thënë si të tillë, kam punuar çdo ditë si të ishte dita ime e fundit këtu, me shqetësimin se mos kjo ishte dita e fundit dhe më ngelen ca gjëra pa bërë. Kjo ka qenë thellë-thellë motori i atij presioni që ju ndoshta keni ndjerë nga unë; që të bëhet dhe kjo të bëhet dhe ajo. Fantastike është që edhe unë kam ndjerë të njëjtin presion nga ju”, tha Kumbaro në fjalën e saj, përballë ekipit të bashkëpunëtorëve. Si ministri me buxhetin më të vogël, Kumbaro ka vlerësuar si arritje vizibilitetin, që sipas saj është më i madh mes të gjitha ministrive.

Duke marrë zyrtarisht postin e ministres së Kulturës, Elva Margariti gjithashtu e vuri theksin tek buxheti i vogël i një ministrie, “me përgjegjësi të madhe”, siç tha ajo. “Shikoj sot një detyrë shumë të madhe që më është ngarkuar dhe ndiej mbi të gjitha nder, nder se më është besuar një ministri me buxhet të vogël, por me përgjegjësi të madhe. Punët e mira bëhen me ekip. Unë besoj se së bashku do të ndërtojmë vazhdimësinë e një pune, që ju e keni nisur, që Mirela e ka nisur dhe e ka çuar përpara me shumë përkushtim e me shumë rezultate. Kjo për mua është e vetmja sfidë, të arrijmë të mbajmë të njëjtin ritëm”, tha Margariti.

Gjatë ceremonisë u shfaq gjithashtu edhe një klip ku ishin përmbledhur disa prej momenteve kryesore që shënjonin punën  e Ministrisë së Kulturës në afro gjashtë vite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë