Rend dhe Ligj

Kumari & Krimi, kronologjia e një dashurie të paralajmëruar

“Shumë nga pronarët e basteve janë me precedentë penalë. Ajo që ne bëjmë sot është kundërpërgjigja e duhur në emër të një shoqërie të prekur nga ky fenomen që sjell sëmundje dhe që ka përhapur një kancer social në të gjithë territorin”.

Me këtë deklaratë, Kryeministri Edi Rama njohu fenomenin e kapjes dhe përdorimit të industrisë së bixhozit prej kohësh në vendin tonë nga elementë kriminalë dhe shfrytëzimit të saj për pastrimin e parave të pista të krimit.

Pak orë më vonë, këtë deklaratë të Kryeministrit e përforcoi edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj

“Një pjesë e lojërave të fatit ranë në duar që ishin të papërshtatshem, në duar të elementëve kriminalë. Këtë e vumë re gjatë këtij viti nga sondazhet, por edhe nga të gjitha institucionet e inteligjencës të vendit dhe të huaja për terrenin që gjenin elementët kriminalë në Lojërat e Fatit. Mos e shikoni thjesht si një mbyllje e një industrie, por ta shohim edhe si një reflektim të qeverisë. Ka dy korsi kryesore, njëra është pjesa sociale dhe pjesa tjetër është lufta kundër krimit”, deklaroi ai i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel.

Ministri i Financave foli për raporte edhe nga shërbimet e inteligjencës, të huaja e shqiptare. Por, fenomeni i kapjes së bixhozit nga krimi është identifikuar të paktën që në 2016 nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Sipas një raporti që përfoli media në atë kohë, agjencia shqiptare e inteligjencës fliste për tre kompani që zotërohen, ose kanë ortakë persona të skeduar në vendet e Bashkimit Europian për aktivitete kriminale në fushën e trafikut të narkotikëve dhe të shfrytëzimit të prostitucionit.

Mediat njoftuan se raporti i ishte dorëzuar Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit. Statistikat për 2016 flisnin për mbi 1300 krime të lidhura me kumarin, duke nisur që nga grabitjet e rëndomta e deri tek vrasjet e vetëvrasjet.

Raporti i SHISH fliste për lidhjen e krimit me bastet dhe bixhozin në tërësi, ndërsa për përhapjen e fenomenit asnjë shqiptar që ka jetuar këtu në 10 vitet e fundit nuk ka patur nevojë për raporte për të kuptuar se si mbinin si kërpudha duke ndryshuar emër, logo dhe shpesh edhe pronarë kompanitë e basteve, që gjenden sot të përhapura edhe në skutat më të thella të lagjeve dhe fshatrave të shoqërisë shqiptare.

Sot, kompanitë e vetme që janë të licencuara janë tre. I.T.S.G.A është më e madhja në treg, ndjekur nga Top Bast dhe Loto Sport. Me NIPT-e sekondare të këtyre kompanive dhe emra tregtarë të ndryshëm veprojnë disa kompani të tjera në treg.

Kush janë pronarët e I.T.S.G.A, në bazë të licencës së të cilës veprojnë në treg Eccobet, Eurolive dhe Baste Live? Në ekstraktin e Qendrës Ndërkombëtare të Regjistrimit figurojnë katër aksionerë. Ata janë Kujtim Llupa, Ilir Dokle, Gramos dhe Besnik Murataj. Këta dy të fundit, vëllezër me njëri-tjetrin zotërojnë 35 për qind të aksioneve të kësaj kompanie dhe Departamenti i Hetimit Pasuror në Policinë e Shtetit referoi në muajin shtator materialet për hetim pasuror.

Besnik dhe Gramos Murataj rezultojnë të dënuar në Itali për trafik droge. Sipas Partisë Demokratike, ata janë gjykuar dhe dënuar në të njëjtin grup, ku bënte pjesë, Agron Xhafaj, vëllai i Fatmir Xhafës dhe realisht, sipas opozitës, kjo kompani zotërohet nga Agron Xhafaj.

Nje pike dytesore e Eccobet

“Bashkëpunëtorët e Agron Xhafajt, vëllezërit Murataj janë sot pronarë të dy kompanive të basteve dhe njëra prej tyre është ndër më të njohurat dhe shfaqet me disa emra. Për këta dy të dënuar duhet të kishte vepruar ligji Antimafia për të verifikuar burimin e pasurisë së tyre. Deri tani ligji nuk ka vepruar sepse anëtarët e bandës së Agron Xhafaj është vetë, fasada që fsheh pronësinë relae të Agron Xhafajt mbi këtë kompani Eccobet, nën pronësinë e Agron Xhafajt dhe me mbështetjen politike të Fatmir Xhafajt, për 5 vjet ka shumëfishuar aktivitetin në tregun e bixhozit", deklaronte më 14 shtator Enkelejd Alibeaj.

Deputeti demokrat nuk e la me kaq. Një ditë më vonë publikoi disa shifra, sipas të cilave, opozita thotë se kompania e Muratajve kanë dhjetëfishuar fitimet në tregun e bixhozit brenda katër viteve të qeverisjes së parë të Ramës.

Deputeti i PD-se, Enkelejd Alibeaj ne nje konference per shtyp

“Nga një kompani bastesh me të ardhura jodomethënëse , kompania e Agron Xhafajt ka nisur rritjen galopante ditët e para të ardhjes në pushtet të Edi Ramës. Nga 1 milion dollarë në vitin 2014, të ardhurat e vëllait të ministrit të Brendshëm janë dhjetëfishuar në katër vite duke shkuar në plot 10 milionë USD në vitin 2017”, deklaronte Alibeaj.

Pronarët e dy kompanive të tjera, Top Bast dhe LotoSport nuk rezultojnë me precedentë penalë, por ashtu si I.T.S.G.A edhe këto kompani e përdorin licencën për të autorizuar hapjen e pikave dytësore, që në treg veprojnë me emra të tjerë.

Nga një vështrim i përgjithshëm i aktivitetit të këtyre kompanive në ekstraktin e QKR-së, vihet re se ato janë vënë në lëvizje që në fillim të këtij muaji për të mbyllur pikat dytësore në të gjithë vendin.

Ndërkohë, po të kthehemi pas në kohë, është rasti i Xhoi Lloto, një kompani e regjistruar në QKR si Xhoi Co 21, ku mes aksionerëve figuronte edhe ish-deputeti, Mark Frroku, i hetuar Belgjikë për vrasje dhe i dyshuar si pjesë e një grupi shfrytëzimi prostitucioni dhe trafiku lëndësh narkotike dhe i dënuar nga drejtësia shqiptare për ndërtim pa leje.

Ish-deputeti Mark Frroku

Një tjetër rast mbërrin nga bingot. Dashamir Murataj, në atë kohë pronari dhe administratori i rrjetit të bingove “Tirana”, përfundoi në pranga nga policia për falsifikimin e mijëra biletave të bingos, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit milionë lekë dëme.

Kjo është një pjesë e asaj që duket nga bota e ligjshme e bixhozit dhe e basteve, që numërojnë sot mbi 4400 pika në të gjithë vendin. Por, besohet se një shifër po kaq e lartë është pjesa që operon në të zezë.

Rasti i Ervis Martinajt, i plagosur në ngjarjen e ish-Bllokut në fillim të këtij muaji është prova më e mirë për këtë. Ai është ndaluar disa herë për organizim të paligjshëm të basteve dhe lojërave elektronike, por kjo nuk e ndaloi që gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” të kërcënonte një oficer policisë të forcave “Shqiponja”.

Ervis Martinaj

Në veri e jug, lajmet e kronikës së zezë me ngjarjet kriminale të ndodhur në ambientet e basteve sportive dhe kazinove janë pafund, që nga vrasja e një 21-vjeçari me sende të forta në Fier në vitin 2013, për 60 mijë lek që kishte fituar në loto, e deri tek të shtënat me armë zjarri e para disa javëve në Tiranë mes dy grupeve po në një pikë lotoje.

Nga 1 janari bastet do të mbyllen, por mbetet për t’u parë nëse mbyllja e tyre do të pasohet me rritje të sigurisë publike apo jo.

Fitimet marramendëse të bixhozit

Favorizimet e njëpasnjëshme ndër vite e kanë shndërruar industrinë e kumarit në një industri tejet fitimprurëse për pronarët e saj. Vetëm në dy vitet e fundit kjo industri ka rritur me 25 për qind të ardhurat dhe 68 për qind fitimet, ndërkohë që raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se ekspansioni ekonomik ngrihet mbi informalitetin e lartë dhe tolerimin prej Autoriteteve Mbikëqyrëse.

Vetëm në vitin 2017, shqiptarët shpenzuan mbi 16.2 miliardë lekë në tregun e bixhozit, i cili zotëron mbi 4 mijë pika të shpërndara në çdo cep të vendit dhe ndahet mes 20 kompanive të licensuara nga Autoriteti Mbikëqyrës.

Analiza financiare tregon megjithatë se 85 për qind e tregut kontrollohet tashmë nga vetëm pesë kompani kryesore.

Operatori më i madh i lojërave të fatit është kompania austriake Novomatic AG, e cila ka një shtrirje të gjerë në vendet e Ballkanit. Në Shqipëri, Novomatic zotëron përmes kompanive bijë Lotarinë Kombëtare dhe kazinotë elektronike Astra Albania dhe Adriatik Game. Vetëm për vitin 2017, ato realizuan së bashku të ardhura me vlerë 4.6 miliardë lekë dhe fitime prej 526 milionë lekësh.

Kompania e dytë me të ardhurat më të larta është Apex Al, e cila së bashku me operatorin e tjetër të zotëruar prej saj, VLT Albania, realizuan mbi 3.5 miliardë lekë në tregun e kazinove elektronike. Apex është kompania me fitimet më të larta të deklaruara për vitin 2017 në vlerën e 2 miliardë lekëve ose rreth 60 për qind të të ardhurave.

Kompanitë e basteve sportive janë rrudhur nga 5 në 3 gjatë viteve 2015-2018. Kompanitë e mbetura në treg, Top Start, Loto Sport dhe I.T.S.G.A realizuan së bashku të ardhura me vlerë 5.8 miliardë lekë, nga të cilat 88 milionë lekë fitime në 2017, ndërsa 15 operatorët e tjerë ndajnë mes tyre më pak se 15 % të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë