Mjedis

Kullotat më të gjelbra/ A mund të ndihmojë eko-inxhinieria e lashtë në rregullimin e peizazheve tona të degraduara?

Menaxhimi i tokës është një nga çështjet kryesore me të cilat përballet planeti në shekullin e 21-të. Si rezultat i ndryshimeve klimatike thatësirat po bëhen më të gjata dhe më intensive dhe përmbytjet e mëdha po përkeqësohen. Degradimi i tokës për shkak të aktivitetit njerëzor dhe motit ekstrem po rrit përhapjen e shkretëtirave, duke reduktuar biodiversitetin, duke e bërë më të vështirë për fermerët prodhimin e të korrave dhe duke shtuar mungesën e ujit.

Një zgjidhje është e domosdoshme dhe ekspertët mendojnë se ajo zgjidhje mund të vijë me anë të një metode të thjeshtë që e përdornin fermerët para mijëra vitesh.

Janë disa barriera të krijuara ose për të mbajtur një lëng brenda ose për të mbajtur një lëng jashtë. Ato mund të bëhen nga materiale natyrale ose artificiale dhe mund të jenë si një mur që rrethon një strukturë magazinimi kimik në rast rrjedhjeje, ose një argjinaturë të pjerrët rreth një rruge ose hekurudhe për të kontrolluar rrjedhën e ujit.

Për sa i përket gjeoinxhinierisë, ato janë të teknologjisë së ulët por kur ndërtohen në mënyrë strategjike, ndikimi i tyre në mjedis mund të jetë i thellë. Programe të veçanta në Tanzani dhe Irlandën Veriore po demonstrojnë fuqinë rigjeneruese të këtyre barrierave dhe rezultatet mund të jenë pozitive si për njerëzit ashtu edhe për natyrën.

Në Tanzani, organizata jofitimprurëse Justdiggit dhe Fondacioni LEAD po punojnë me komunitetet lokale për të kthyer toka të thata në prodhuese duke grumbulluar ujin. Kjo është pjesë e një përpjekje masive rigjenerimi të mbështetur nga OKB.

Angelina Tarimo, koordinatore në Fondacionin LEAD, ka punuar me komunitetet lokale në vende të tilla si Pembamoto, një fshat në rajonin e Dodomës, ku tokat që kthehen në shkretëtitrë janë një kërcënim në rritje.

Kur pyet pleqtë për të kaluarën, ata thonë se kishte shira dhe tokat ishin të gjitha të gjelbërta.

Bujqësia ka pasur një ndikim negativ në tokën në Tanzani, thotë Tarimo, me fermerët që pastrojnë pemët dhe bimët vendase në mënyrë që të rriten. Kjo dëmton strukturën e tokës dhe e bën atë më të prirur ndaj erozionit. Meqenëse toka është më e thatë, kur bie shi, ka më shumë të ngjarë që uji të rrjedhë nga sipërfaqja në vend që të depërtojë në tokë, duke larë tokën pjellore dhe duke përjetësuar një cikël tharjeje.

Në vitin 2018, Justdiggit dhe Fondacioni LEAD punuan me fshatin për të transformuar një zonë testimi djerrë prej 50 hektarësh, duke gërmuar një rrjet barrierash gjysmërrethore me një perimetër të ngritur rreth një kanali të cekët, në të cilin u mbollën farat. Barrierat, afërsisht pesë metra, u vendosën në një model si luspa peshku përmbys. Kështu ato mbajnë ujin dhe nuk e lënë të rrjedhë duke bërë që ai të depërtojë në tokë.

Si pjesë e programit, komuniteti i Pembamoto-s ra dakord të linte tokën të paprekur për dy vjet.

"Ata ishin vërtet skeptikë për të parë ndonjë lloj rezultati, sepse ata nuk kishin parë kurrë bar të rritet në zonë për vite me radhë", thotë Tarimo. Por pas dy vitesh, ata vendosën të zgjasin projektin pasi kishte shumë sukses.

Gjelbërimi u përhap shumë përtej perimetrit të barrierave, duke mbuluar peizazhin e degraduar më parë.

"Pas tre vjetësh, bari ishte më i gjatë se unë", thotë Tarimo.

Justdiggit ka projekte të tjera në Tanzaninë Qendrore, ku thotë se qindra fshatra po punojnë për të rivendosur mbi 750,000 hektarë përmes një sërë metodash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë