Vende dhe Udhetime

Kukësi, qyteti i varfër shqiptar që lidh shpresat e turizmit në tunelet komuniste

Në qytetin shqiptar të Kukësit ndodhen tunelet nëntokësore dhe një qendër komandimi ushtarake, të ndërtuara gjatë regjimit komunist nga frika e një pushtimi të huaj që nuk erdhi kurrë.

Nëse dëshironi të ecni me kilometra në betonin e ndërtuar për të mbrojtur një regjim totalitar që askush nuk donte ta sulmonte, Kukësi është vendi perfekt.

Diktatura komuniste pas Luftës së Dytë Botërore kishte “vepra” masive mbrojtëse. Kukësi është ende i mbushur me mbetjet e shkatërruara të 175,000 mini-bunkerëve prej betoni, të ndërtuar poashtu për të ndaluar pushtuesit imagjinarë. Por kryesoret janë tunelet e Kukësit.

I gërmuar nga vitet 1970 deri në fillim të viteve 1990, pikërisht në kohën e rënies së regjimit komunist, rrjeti nëntokësor kishte për qëllim të strehonte të gjithë popullsinë e qytetit prej 16,000 banorësh për deri në gjashtë muaj në rast lufte. I pajisur me pajisje që nga zyra e prokurorisë tek një maternitet, ishte projekti më i madh fortifikues i Shqipërisë me tunele që shtriheshin deri në shtatë kilometra.

Tani, autoritetet lokale shpresojnë ta kthejnë atë në një atraksion turistik, me ndihmën e financimit të Bashkimit Europian. Deri në fund të vitit, thonë ata, do jenë të aksesueshme një qendër komandimi me shumë dhoma dhe një tunel i gjatë që të çon deri tek bashkia.

“Shumë britanikë, zviceranë, holandezë apo francezë vijnë në Kukës vetëm për të parë tunelet”

Turizmi në Shqipëri është rritur vitet e fundit kur në 2022 u futën në Shqipëri 7.5 milion njerëz.

Turistët janë të mirëpritur edhe në Kukës, një qytet 150 km në verilindje të Tiranës, afër kufirit me Kosovën. Është zona më e varfët e Shqipërisë, pavarësisht nga pasuria minerale dhe peisazhet malore dhe shumica e të rinjve kanë emigruar jashtë vendit.

Kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici thotë se turistëve do t'u ofrohen eksperienca gastronomike si dhe eksperienca e tunelit.

“Një qytet i tillë muze do të tregojë vlerat lokale të popullsisë dhe do të tërheqë vizitorë, do të sjellë para për bashkinë dhe punësim për njerëzit”, thotë ai.

Banorët më të vjetër vendas kanë kujtime të forta për rrjetin nëntokësor i cili u ndërtua kryesisht me punë masive vendase dhe u përdor vetëm një herë në një stërvitje të mbrojtjes civile, në fund të viteve 1980, e cila e dërgoi të gjithë popullsinë e Kukësit nën tokë.

Një zile alarmi ra natën. Kryetari i bashkisë së qytetit dhe lideri i partisë u takuan në një hyrje tuneli poshtë zyrave të tyre dhe ecën katër kilometra për të arritur në qendrën e komandës.

Armida Alikaj, e cila në atë kohë ishte 10 vjeçe, thotë se babai i saj e zgjoi me qetësi dhe secili mori një çantë shpine me rroba, ushqime dhe batanije, për të shkuar në tunele me "erën e dheut" dhe parulla e numra të pikturuar me gëlqere të bardhë në dyer.

“Nuk kisha frikë sepse na thanë se ishin ndërtuar për ne”, thotë ajo. “Por zhurma e sirenës ishte e tmerrshme”.

Kukësi është një qytet relativisht i ri me banesa pesëkatëshe me tulla të bardha të stilit sovjetik, të ndërtuara nga e para për të strehuar rreth 16,000 njerëz pasi qyteti i vjetër u zhduk në 1978 nga një liqen artificial i projektuar për një hidrocentral.

Banorët e çdo pallati kishin vendin e tyre të përcaktuar në tunele me qarkullim të mirë ajri dhe furnizim me ujë.

Kishte gjithashtu një fabrikë buke, një shkollë, një spital, një maternitet, prokurori, stacion policie, radiostacion, shtypshkronjë për propagandën komuniste, si dhe klasa për fëmijë dhe hapësira për burra dhe gra për t'iu nënshtruar trajnimit për aftësi ushtarake.

Diktatori komunist i Shqipërisë Enver Hoxha ndërpreu lidhjet me Jugosllavinë fqinje në 1949, me Bashkimin Sovjetik në 1961 dhe me Kinën në 1978. Frika e tij nga pushtimi e bëri regjimin të shpenzonte rreth 5% të buxhetit të tij vjetor për ushtrinë.

Oficeri në pension i ushtrisë Haxhi Cenaj, 81 vjeç, thotë se ai kaloi orë të tëra nën tokë në qendrën komanduese të Kukësit me 37 dhoma, ndërsa krerët ushtarakë diskutonin strategjinë e tyre, duke u përgatitur për një sulm jugosllav që nuk erdhi kurrë.

Derisa doli në pension në vitin 1995, Cenaj ishte një major që drejtonte një njësi të vogël të caktuar për mbrojtjen e qendrës.

Djali i tij, Afrimi, i cili tani kujdeset për një pjesë të vogël të tuneleve, tregon dritat në muret e ftohta, tavolinat e betonit dhe tualetet. Grupe të vogla lakuriqësh nate grumbullohen në tavane.

“Shumë britanikë, zviceranë, holandezë apo francezë vijnë në Kukës vetëm për të parë tunelet”, thotë ai.

Bukurosh Onuzi, ekspert turistik i cili është marrë me projektin, tha se ka “shumë interes për rrjetin, veçanërisht nga të huajt, por edhe nga të rinjtë shqiptarë që nuk kanë njohuri, nuk kanë informacion ose nuk kanë jetuar në komunizëm”.

Cenaj, ish-majori i ushtrisë, thotë se e kujton me dashuri kohën e kaluar nën tokë.

“Ne kemi provuar skenarë, provokime. Ne planifikuam se do të kishte një luftë, me gjasë një sulm ajror dhe u stërvitëm se si të mbijetonim. Do të preferoja ta kisha dhe tani gati rrjetin nëntokësor. Kush e di se çfarë po ndodh me luftërat përreth”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë