Dosje

Kukësi, pikë tranziti për emigrantët e paligjshëm. 17 raste vetëm në një muaj

Trafiku i klandestinëve në Shqipëri po lulëzon dita-ditës dhe në raportet e përditshme të policisë nuk mungojnë rastet e ndalimeve të emigrantëve të paligjshëm në makina, furgonë apo dhe kamionë.

Klandestinët të cilët vijnë kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, futen në Shqipëri nëpërmjet kufirit të gjelbër veçanërisht nga pika kufitare e Qafë Botës në Sarandë, por edhe nga Kakavija apo Kapshtica. Më pas kundrejt fitimit ata transportohen me mjete të ndryshme drejt kufirit me Kosovën apo Malin e Zi.

Fenomeni është më i dukshëm në Kukës, ku vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë evidentuar dhe goditur 4 raste të tjera të tentativës për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, ku si rezultat janë arrestuar 4 shtetas, një nga Prishtina dhe 3 nga Tirana.

Ata janë kapur në hyrje të Tunelit të Kalimashit në afërsi të Morinës, në tentativë për të kaluar nga kufiri i gjelbër, duke transportuar me automjetet e tyre 46 emigrantë të paligjshëm drejt Kosovës kundrejt fitimit deri në 500 euro për person.

Vetëm gjatë muajit nëntor 2021, janë goditur 17 raste të kësaj veprimtarie kriminale në Kukës, ku janë arrestuar 16 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 2 të tjerë. Ndërkohë që janë bllokuar 93 shtetas nga vendet e treta, kryesisht nga Siria.

Drejtori i DVP Kukës, Edmond Sulaj, thotë se trafikantët po përdorin rrugëkalime të reja me qëllim shmangien e kontrolleve të policisë në akset nacionale.

Megjithatë, emigrantët zgjedhin edhe rrugë të tjera kufitare të territorit shqiptar për të vijuar udhëtimin e tyre drejt vende të Bashkimit Europian.

Në Pogradec dhe në Korçë, ka pasur me dhjetëra raste të kalimit në mënyrë të paligjshme të emigrantëve nga vendet e treta.

Përpjekja e tyre për të kaluar kufirin shpesh ka rezultuar edhe fatale, si rasti i një emigranti 27-vjeçar nga Siria, i cili u gjet i vdekur në malin e Moravës në Korçë.

Dyshimet janë se ai ka ndërruar jetë për shkak të kushteve atmosferike dhe borës. Në këtë qark, klandestinët ecin me ditë të tëra nga shteti grek drejt kufirit të gjelbër në Kapshticë dhe më pas synojnë kryeqytetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë