Ka ndodhur

Pasaporta, leje qëndrimi dhe parà, goditet rrjeti që trafikonte emigrantë të paligjshëm

Pesë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim, të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Në kuadër të operacionit të koduar “COMPLEX 5”, u vunë në pranga shtetasit: S.G., 26 vjeç, A.M., 24 vjeçe, D.Sh., 55 vjeçe, S.Sh., 64 vjeçe, dhe R.V., 26 vjeç.

Tre prej të ndaluarve janë femra, të cilat në bashkëpunim me dy të rinj të moshës 26 vjeç, dyshohet se me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar, kryenin transportin e emigrantëve të paligjshëm nga kufiri shqiptaro-grek në zonën e Devollit drejt Tiranës.

Emigrantët e paligjshëm, pasi strehoheshin nga shtetaset D.Sh dhe S.Sh (motra me njëra-tjetrën) në hotelet e tyre në zonën e Laprakës, bënim organizimin e tyre në bashkëpunim dhe me shtetasin R.V (djali i shtetases D.Sh) dhe më pas nisjen e tyre kundrejt pagesës, në drejtim të Kukësit me qëllim kalimin e tyre në Kosovë, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Gjithashtu, këta shtetas, përveç trafikimit të emigrantëve të parregullt, kishin të organizuar edhe një linjë tjetër trafikimi të shtetasve të huaj që hynin me dokumentacion të rregullt në vendin tonë për qëllime turistike apo punë me leje qëndrimi, të cilët pasi hynin në mënyrë të rregullt nga aeroporti i Rinasit, këta shtetas organizonin punën për trafikimin e këtyre.

Këta shtetas dyshohet se gjatë veprimtarisë së tyre disa vjeçare, kanë trafikuar një numër të konsiderueshëm emigrantësh të paligjshëm dhe personave që hynin në vendin tonë me dokumentacion të rregullt.

Ndërkohë, shtetasit D.N., dhe V.M., të cilët dyshohet se udhëtonin me një automjet tjetër përpara me qëllim kontrollin e rrugës, do të procedohen në gjendje të lirë.

Policia, gjatë kontrollit gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 72 pasaporta, 37 leje qëndrimi, 2 mjete identifikimi, 2 automjete, një shumë parash dhe sende të tjera të kundraligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë