Futboll

Kukësi largon thuajse gjithë titullarët, Gega në dyshim për të vazhduar

“Emiljano Musta nuk është më pjesë e Kukësit. Mbrojtësi nga Elbasani ka mbyllur aventurën me skuadrën tonë. Pas një diskutimi mes klubit dhe futbollistit, u arrit marrëveshja për zgjidhjen e kontratës. Klubi i Kukësit e falënderon Mustën për kontributin e dhënë dhe i uron suksese në të ardhmen”. Ky është njoftimi zyrtar i klubit kuksian në lidhje me largimin e Mustës, i cili është futbollisti i radhës që lë Kukësin brenda pak ditësh.

Një situatë gati absurde te Kukësi, që po lë të lirë thuajse të gjithë titullarët e sezonit të fundit. Thuajse çdo ditë ky klub ka pasur njoftime largimesh në faqen e tij zyrtare. Pas Shkurtajt dhe Abazajt, ndër të parën që ndërprenë marrëdhëniet me Kukësin, ditët e fundit kanë ikur Eduart Rroca dhe Bruno Telushi, të transferuar jashtë vendit, kapiteni Besart Musolli, mbrojtësi Obanor dhe tani edhe Emiljano Musta. Po të llogarisim edhe Valon Et’hemin, bëhet më shumë se gjysma e ekipit, ndërkohë që koha për të gjetur zëvendësuesit është e kufizuar.

Emiljano Musta, largimi i fundit nga Kukësi. Gazeta Si, 28 shtator 2020

Zhvillimet e fundit patjetër që e kanë shqetësuar trajnerin Skënder Gega. Madje, Gazeta Si mëson nga burime konfidenciale se edhe ai po mendon largimin nga stoli i Kukësit ende pa nisur kampionati. Ekipi ka humbur shumë nga kualiteti i tij dhe me grupin që mbetet Kukësi e ka tejet të vështirë të pretendojë për objektiva madhorë, ndaj dhe e ardhmja e trajnerit është në dyshim serioz.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë