Futboll

Kukësi i Nicës vazhdon ngjitjen, me 10 lojtarë mund Vllazninë dhe e kalon në renditje

Gazeta Si – Kampionati i Superiores ka nisur sot fazën e dytë me dy ndeshje, ku u shënua vetëm një gol. Ai gol që i dha Kukësit fitoren e dytë radhazi dhe ndëshkoi Vllazninë. Skuadra e trajnerit Stavri Nica vazhdon ngjitjen në renditje, duke shkuar 13 pikë pas 10 javësh.

Dhe fitorja e Kukësit merr vlera edhe më të mëdha, po të kemi parasysh faktin se u arrit me 10 lojtarë. Kuksianët mbetën me 10 vetë në fundin e pjesës së parë, kur Endri Reçi u ndëshkua me karton të kuq për një faull të rëndë. Atdhe Rashiti realizoi me kokë golin e fitores 4 minuta para fundit të ndeshjes.

Vllaznia nuk diti të përfitonte nga superioriteti numerik për gjithë pjesën e dytë. Shkodranët kanë zbritur një shkallë në renditje, pasi janë parakaluar pikërisht nga Kukësi.

Ndeshja tjetër e luajtur sot, ajo mes Erzenit dhe Laçit, përfundoi me rrjeta të paprekura. Java e 10-të e Superiores vazhdon të shtunën me derbin Tirana-Partizani, Skënderbeu-Egnatia dhe Teuta-Partizani. Për monentin renditjen e kryeson Egnatia, me 19 pikë, e ndjekur nga Partizani me 17 pikë, por me një ndeshje më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë