Libra

Kukës, biblioteka në shtëpitë e lexuesve

Në këto ditë të vështira për të gjithë, ku jemi të detyruar të qëndrojmë në shtëpi për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, stresi është i pashmangshëm.

E pikërisht për t’i mbushur këto ditë me një lloj aktiviteti dhe për t'u dhënë një tjetër ritëm, biblioteka “Agim Spahiu” në Kukës ka ndërmarrë një nismë ndryshe dhe të bukur për t’iu gjendur sa më pranë dashamirësve të librit.

Nisma është quajtur “Ju qëndroni në shtëpi, ne vijmë te ju” dhe është ndërmarrë nga biblioteka në bashkëpunim me këndin amerikan “American Corner”, ku librat u janë dërguar lexuesve në shtëpitë e tyre nga vetë biblioteka.

Specialisti i bibliotekës, Arbër Palushi shprehet për Gazetën “Si”, se menjëherë pas vendimit për mbylljen e shkollave, qendrave kulturore, bibliotekave dhe duke parë kushtet e vështira dhe stresin që po krijohej menduam që të shkonim ndryshe të lexuesi.

Arbër Palushi, specialist i Bibliotekës

“Ne gjithmonë nëpërmjet ‘bibliotekës lëvizëse’ kemi shkuar në çdo shkollë, në qytet a fshat, po kësaj radhe vendosëm të shkonim në shtëpitë e lexuesve”, shprehet Palushi, ndërsa në vë në pah se nisma është mirëpritur dhe numri i lexuesve është i kënaqshëm.

“Numri i lexuesve është i kënaqshëm, varion nga 5-10 lexues në ditë që ju dërgojmë libra në shtëpi”, vijon më tej ai.

Sa i përket shumëllojshmërisë së lexuesve, specialistja Alma Koldashi, thotë se lexojnë më shumë maturantët, por edhe sektori i fëmijëve.

Libër për fëmijë

“Kryesisht lexojnë të rinjtë e në veçanti maturantët, të cilët lexojnë veprat që kanë në provime. Një numër të konsiderueshëm lexuesish janë edhe te sektori i fëmijëve”, thotë për gazetën “Si” Koldashi.

E ndërsa puna me shpërndarjen e librit vazhdon çdo ditë në këtë qytet, kjo nismë  e veçantë ka shërbyer për ta afruar lexuesin me librin dhe për të rritur vlerat e librit dhe leximit në këto reflektimi për të gjithë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë