Drejtësia

Kujdes me partitë e rrjetet sociale! Kodi Etik, gjyqtarët në dorë të kryetarëve të gjykatave

Nga ndalimi i shfaqjes së bindjeve partiake në publik e deri tek veshja. Kodi Etik i të gjithë gjyqtarëve në Shqipëri përcakton posaçërisht sjelljen e tyre në shoqëri, sidomos gjatë orarit zyrtar të punës.

“Kujdeset (gjyqtari) gjithmonë që sjellja e tij, zyrtare apo private, të mos cenojë pavarësinë individuale apo institucionale të gjyqësorit dhe as dukjen e pavarësisë në sytë e publikut. Gjyqtari duhet të shmangë sjelljet që mund të krijojnë përshtypjen te publiku se është i angazhuar politikisht dhe as të marrë pjesë në aktivitete politike, në çfarëdolloj mënyrë, me përjashtim të çështjeve me rëndësi për funksionimin e gjykatave dhe pavarësinë e tyre”, thuhet në Kodin Etik të hartuar e miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Po në të njëjtin kodi, gjyqtarëve u ndalohet mbështetja, apo pjesëmarrja në peticione, apo struktura të ndryshme politike të çdo forme.

“Nuk duhet të japë kontribute financiare apo kontribute të tjera subjekteve politike dhe as t nënshkruajë peticione që ndërmerren nga subjekte politike. Duhet të shmangë shfaqjen e bindjeve të tij politike edhe pse ai si çdo qytetar, gëzon të drejtën për të pasur të tilla”, përcaktojnë nenet e këtij Kodi.

Gjyqtarit i lihet në dorë refuzimi i gjykimit të një çështjeje nëse ai vetë vlerëson se ajo çështje mund të vendosë në diskutim pavarësinë dhe paanësinë e tij.

Gjyqtarit i kërkohet gjithashtu që të shmangë rrjetet sociale me përjashtim të çështjeve që lidhen me reformën në drejtësi, apo funksionimin e sistemit gjyqësor.

“Duhet të tregojë vetëpërmbajtje në mbështetjen publikisht, apo shprehjen e kritikave të çfarëdo lloji dhe natyre ndaj pushteteve të tjera, përveç çështjeve që lidhen me reformën dhe funksionimin e gjyqësorit. Duhet të shmanget nga bërja e komenteve mbi çështje të diskutueshme politike apo deklarata publike, të cilat mund të krijojnë përshtypjen se gjyqtari është i njëanshëm, ose i ndikuar në një çështje të caktuar. Shfaq vetëpërmbajtje në përdorimin e medies dhe rrjeteve sociale ”, përcakton Kodi.

Kujdes kërkohet edhe në raport me organizata, apo shoqata që nuk janë politike.

“Duhet të jetë i kujdesshëm në marrëdhëniet që krijon për shkak të anëtarësisë së tij në shoqatat e gjyqtarëve apo në shoqata kulturore, sportive, fetare ose të fushave të tjera duke shmangur ato marrëdhënie që mund të komprometojnë respektimin e imazhit të tij, ose të sistemit gjyqësor”, përcakton Kodi.

Kodi nuk vendos një vlerë të posaçme të dhuratave, çmimeve apo përfitimeve që mund të marrë një gjyqtar, por thotë se ato duhet të jenë simbolike.

“Sipas rastit për të cilin jepet, me kusht që dhurata, çmimi apo përfitimi, të mos perceptohen nga një vëzhgues i arsyeshëm, si shkak njëanshmërie apo si qëllim për të ndikuar te gjyqtari në ushtrimin e detyrës”, saktëson Kodi.

Raportet me median, çdo gjyqtar në vend duhet t’i vendosë përmes një gjyqtari të posaçëm i ngarkuar për çështjet e medias.

“Duhet të shfaqë vetëpërmbajtje edhe në marrëdhëniet e tij me medien. Për çështje që lidhen me marrëdhëniet me medien, gjyqtari komunikon me gjyqtarin e medies të juridiksionit përkatës, duke shmangur çdo shfrytëzim të njohjeve personale me gazetarët”, thuhet ndër të tjera mes përcaktimeve mbi sjelljen e gjyqtarëve.

Kodi u jep të drejtë gjyqtarëve që të kërkojnë këshilla në lidhje me zbatimin e etikës, por nuk mund të vendosin vetë për këtë çështje, nëse ato konsiderohen, ose jo në pajtim me standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes.

“Interpretimi i standardeve etike dhe i rregullave të sjelljes nga Këshilltari për Etikën, lidhur me faktin nëse rregulli përkatës e lejon një sjellje të caktuar, mund të përdoret si mjet mbrojtjeje nga ana e gjyqtarit në rast procedimi disiplinor, por ky interpretim nuk ka karakter detyrues për zgjidhjen e rasteve të tjera të ngjashme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, thuhet në Kod.

Personi përgjegjës në çdo gjykatë për respektimin e zbatimin e këtij Kodi caktohet kryetari i gjykatës. Në çdo rast, në lidhje me sjelljen në institucionin që drejton, ky i fundit i dorëzon Këshillit të Lartë Gjyqësor një raport periodik.

“Shkelja e rregullave të këtij Kodi kur nuk përbën shkak për përgjegjësi disiplinore merret në konsideratë në kuadër të vlerësimit etik dhe profesional të gjyqtarit”, thotë Kodi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë