Mjedis

Kujdes kur hidhni plehrat, mund t’ju vijnë në shtëpi me postë

Nëse ju bie rruga nga parku kombëtar “Khao Yai” në Tajlandë bëni kujdes se ku flakni mbeturinat, përndryshe…ato mund t’ju “përndjekin” deri në shtëpi.

Autoritetet tajlandeze njoftuan se do të dërgojnë me postë në shtëpitë e çdo personi që nuk i hedh mbeturinat në vendet e përcaktuara. Përjashtim nga ky rregull nuk do të bëjnë as turistët e huaj.

Ministri i Mjedisit tha se me këtë praktikë synon që të ndërgjegjësojë vizitorët e shumtë të parkut, që ta mirëmbajnë atë.

Si do të funksionojë? Çdo vizitor në park do të regjistrohet me emër, mbiemër dhe adresën e banimit. Rojet në portat hyrëse do të verifikojnë në kohë reale adresat përmes aplikacionit “Google Maps”.

Më pas, duke përdorur sistemin e shumtë të kamerave të vendosura në park personat që hedhin mbeturinat në shesh do të identifikohen dhe mbeturinat do të paketohen e do t’ju dërgohen në adresë.

Përveç kësaj, policia do të regjistrojë çdo shkelës, që edhe në rastet kur është turist i huaj do të gjobitet.

Vetë ministri tajlandez i Mjedisit, Varavut Silpa-aracha postoi në llogaritë e tij në rrjetet sociale një qese me mbeturina gati për t’u dorëzuar me postë tek “të zotët” me shënimin “harruat këto tek parku Khao Yai”.

Ky park me një hapësirë rreth 2 mijë kilometra katrorë është parku më i vjetër në Tajlandë dhe i famshëm për ujëvarat dhe larmishmërinë e botës bimore dhe shtazore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë