Politike

“Kufijtë” në sytë e gjermanëve: Ballkani i pashpresë

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka gjetur gjithmonë hapësirë në mediat gjermane. Por, diskutimet e fundit dhe fryrja e zërave për një tjetër ndryshim kufijsh në Ballkan u pasqyruan më dendur dhe pothuajse në të gjithë artikujt e analizat e gazetave gjermane, ideja Thaçi-Vuçiç kundërshtohej si e rrezikshme dhe një shembull negativ që mund të trazonte sërish rajonin.

Zhvillimet e reja të ndodhura përgjatë tre ditëve, që nga refuzimi i së premtes i Presidentit serb për t’u takuar me Hashim Thaçin në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, e deri tek gjuha e përdorur nga Vuçiç në Mitrovicën Veriore, ku ndër të tjera lëvdoi Millosheviçin kanë ndryshuar për keq situatën, të paktën në kendvështrimin e analizave të mediave gjermane.

“Pajtimi është anuluar”. Me këtë titull, gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung” publikoi një analizë ditën e hënë. Në shkrim theksohet se Vuçiç e Thaçi me dashje kanë shkatërruar edhe atë pak progres që ishte arritur deri para se në publik të diskutonin çështjen e ndryshimit të kufijve.

Gazeta gjermane thotë se pavarësisht se kjo mbete ende një ide dhe diskutime konkrete për të nuk ka patur, dëmi i shkaktuar vetëm nga hedhja e sa për konsum publik është i madh. “Süddeutsche Zeitung” thotë gjithashtu se ideja po goditet fort nga të gjitha anët, edhe pse për arsye të ndryshme.

“Vuçiç u zhgënjye nga pasojat për një ide që e ndezi vetë. Ai, së bashku me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi ja arritën që të tërheqin vëmendjen, por jo për zgjidhjen e konfliktit, por për ndezjen edhe më tej të tij”, thotë “Süddeutsche Zeitung”.

Pasojat e këtij debati, thotë më tej gazeta gjermane në analizën e saj janë do të vazhdojnë të konsumohen gjatë në politikën e brendshme si në Kosovë edhe në Serbi. “Süddeutsche Zeitung” vëren se si Vuçiç, ashtu edhe Thaçi janë të izoluar në këtë ide në vendet përkatëse.

“Nacionalistët serbë, nga radhët e të cilëve vjen vetë Vuçiçi refuzojnë çdo kompromis për Kosovën si tradhti, e mbështeten këtu nga kisha ortodokse. Nga ana tjetër, edhe Thaçi nuk gjen mbështetje, as nga Qeveria dhe as nga opozita për një dorëzim të mundshëm të territoreve”, vijohet më tej.

Po një analizë tjetër të “Süddeutsche Zeitung”, publikuar po të hënën dhe me titullin “Zjarrvënësi Vuçiç” nënvizohet me kritikë se kokëfortësia e Presidentit serb për të vazhduar përpara me idenë e shkëmbimit të territoreve, pavarësisht qëndrimit fillestar kundër të Gjermanisë dhe Bashkimit Europian.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” përqendron analizën e saj tek fjalimi dhe mesazhet e përcjella prej Vuçiçit në Mitrovicën e Veriut.

“Përmes mediave serbe, Vuçiç prej kohësh deklaronte se në fjalimin e tij në Mitrovicë kërkonte të paraqiste një zgjidhje përfundimtare për konfliktin shqiptaro-serb. Në vend të kësaj, fjalimi i tij u rikthye vite pas në kohë me një gjuhë të vjetër me ngjyra të forta nacionalizmi”, shkruan kjo gazetë.

Megjithatë, FAZ i jep hapësirë edhe faktit që Vuçiç u zotua për të vazhduar dialogun dhe përpjekjet për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit.

Gazeta “Märkische Oderzeitung” e trajton situatën në një kendvështrim më të gjerë dhe më shumë historik. Në analizën e saj ajo vëren se “gjithçka ishte teatër”.

“Ballkani Perëndimor i mbetet besnik vetes; një rajon i tensionuar, që të jep pak shpresa për progres. Integrimi është për rajonin stacioni i fundit, por vendeve ka shumë pak elementë pajtues dhe shumë takticizëm, inskenim politike, në vend të politikës”, shkruan kjo gazetë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë