Politike

Kufijtë në Ballkan trazojnë Merkel-Trump

Shtetet e Bashkuara e kanë deklaruar hapur përmes këshilltarit për sigurinë, John Bolton se nuk do të kundërshtojnë idenë e ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, nëse mes vetë dy vendeve ka një marrëveshje përfundimtare për këtë çështje.

Por, ideja e shkëmbimit të territoreve, apo korrigjimit të kufijve është hedhur poshtë nga kancelarja Angela Merkel.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i përcaktuar dhe i paprekshëm. Kjo duhet të përsëritet gjithnjë, sepse ekzistojnë tendenca që çështjet e kufijve të hapen sërish. Kjo nuk mund të ndodhë”, tha ajo.

Kancelararja gjermane foli për një qëndrim unik të vendeve të Bashkimit Europian për këtë çështje. Por, që prej 17 gushtit, kur Merkel dha për herë të parë qëndrimin e vet për kufijtë në Ballkanin Perëndimor kanë kaluar disa ditë, kohë që duket se ka lëkundur Brukselin, që nuk flet me një “Jo” të prerë si Angela Merkel, por me një gjuhë diplomatike nuk e përjashton këtë zgjidhje.

“KE vlerëson që Kosovës dhe Serbisë duhet t’iu jepet hapësira për t’u marrë vesh mbi përmbajtjen e marrëveshjes se normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Si ndërmjetësues i dialogut, blloku nuk mund të komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes, por do të vazhdojë të punojë në mënyrë intensive me të dyja palët për arritjen e një ujdie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi ditën e hënë, zëdhënësja e Komisionit Europian, Maja Koçijançiç.

Po të hënën ka patur edhe një tjetër zhvillim. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump kanë shkëmbyer një bisedë telefonike. Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Kancelares, Steffen Seibert.

“Të dy udhëheqësit ndanë shqetësimet rreth zhvillimeve në Siri, posaçërisht për situatën humanitare në rajonin rreth Idlibit, folën gjithashtu për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe tregtinë”, citohet nga Reuters zëdhënësi Seibert.

Nga biseda nuk jepen më shumë detaje, por nga ajo që dihet publikisht mund të parashikohet lehtë që nuk ka qenë një bisedë e qetë dhe thjesht formale. Angela Merkel dhe Bashkimi Europian po sheh t’i shembet tullë pas tulle pikërisht në Ballkan parimi i hershëm i vendosur që në fund të Luftës së Dytë Botërore për mosndryshime kufijsh dhe në shembjen e këtij parimi një rol thuajse aktiv po luajnë edhe Shtetet e Bashkuara.

Nisma e ndryshimit të kufijve dhe ndarjes së tij sipas vijave etnike qarkullon prej vitesh në Beograd, por ajo asnjëherë nuk ja ka dalë mbanë që të depërtojë në Prishtinë deri këtë verë. Ishte pikërisht Presidenti Hashim Thaçi ai që foli i pari për ndryshim kufijsh. Kur u vendos në qendër të kritikave për këtë, u kujdes që në vend të termit ndryshim të përdorë termin “korrigjim” dhe në daljet për media shpjegonte idenë e tij duke thënë se me “korrigjim” nënkuptonte bashkimin e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën, por jo dhënien e veriut për Serbinë.

Në Beograd, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e ka shpallur politikë të tij synimin për ndarjen e ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe thotë se këtë çështje do ta diskutojë në takimin e radhës me Hashim Thaçin në Bruksel, takim që mbahet më 7 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë