Futboll

Ksabi Alonso surprizon me qëndrimin te Leverkusen, ‘ngrin’ Bajernin dhe Liverpulin

Gazeta Si – Janë 30 fitore, 5 barazime dhe 0 humbje në një sezon, ku titulli është thuajse i fituar, pas 10 pikëve avantazh nga vendi i dytë. Të gjitha këto e bëjnë Ksabi Alonson trajnerin më të kërkuar nga klubet big të Europës, por e ardhmja e tij duket e lidhur me Bajer Leverkusen.

"Alonso ka një kontratë me ne deri në 2026-ën dhe po e programojmë me të sezonin e ardhshëm, - ka thënë për ‘Marca’ administratori i deleguar i Bajer Leverkusenit, Fernando Karro, duke ‘ngrirë’ kështu Bajernin e Mynihut dhe Liverpulin. – Asgjë nuk na bën të mendojmë se nuk do të jetë me ne sezonin e ri”.

Deklarata të rëndësishme dje jo sipërfaqësore, të konfirmuara edhe nga Uli Hënes për ‘Das Erste’: "Të marrim Ksabi Alonson te Bajerni? Më duket shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Besoj se do të qëndrojë te Leverkusen", - ka thënë presidenti i nderit të bavarezëve.

Në Gjermani bëjnë me dije se Bajerni ka ndryshuar objektiv dhe po sheh tashmë italianin Roberto De Zerbi, si dhe drejtuesin e Austrisë, Ralf Rangnik, që sipas ‘Kicker’ do të ishte i gatshëm menjëherë pas Europianit.

Ndryshon drejtimi edhe për Liverpulin, sipas ‘ESPN’ dhe ‘Sky Sports UK’. Këto media i referohen një burimi pranë klubit, që bën me dije se Liverpuli ka marrë një 'Jo' nga Ksabi Alonso dhe tashmë si zëvendësues i Klop shihet më shumë Ruben Amorim, trajneri i Sporting Lisbonës.

Vendimi për të ardhmen është pak surprizues, por trajneri spanjoll do të qëndrojë te Bajer Leverkusen dhe shumë shpejt pritet edhe njoftimi zyrtar nga vetë Ksabi Alonso.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë