Politike

Veliaj del nga SPAK pas 7 orë pyetje për inceneratorët: U pyeta nga dy kolegë hetues, isha si bashkëpunëtor. Dumani: Kishte fletë-thirrje si person në dijeni

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha pas 7 orë pyetje në SPAK (8  gjithsej se shkoi një orë më herët) se ishte “me dy kolegë hetues”.

Para gazetarëve ai nuk dha asnjë detaj por foli si i “lehtësuar” për çështjen e inceneratorëve, duke theksuar se aty ishte në cilësinë e bashkëpunëtorit.

“Pas këtij takimi SPAK  ma ka rritur bindjen se është bërë një investim për së mbari. Isha me dy kolegë hetues profesionistë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është t’i forcojmë institucionet mos t’i përgojojmë mos të bëjmë rolin e tyre e prokurorë e gjyqtarë por të bashkëpunojmë, isha këtu si bashkëpunëtor, kisha kohë që kisha kërkuar një takim.

Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, të gjithë shpjegimet e nevojshme. 

U thanë dhe disa detaje të tjera. Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të hetimit dhe të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka dërguar dhe disa detaje të tjera, më kërkuan dashamiresisht që të mos i ndaj me gazetarët disa detaje. Ndihem mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar. Besoj se armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar... Se unë besoj që një njeri duhet vlerësuar dhe nga armiqtë që bën. Duke qenë se unë respektoj ata që më kanë zgjedhur dhe në këtë orë ka filluar mbledhja e Këshillit Bashkiak, çdo koment tjetër do tua jap pasi të mbaroj mbledhjen e këshillit bashkiak”, tha Veliaj i cili doli i shoqeruar. Veliaj iu drejtua zyrës për të zhvilluar mbledhjen online të Këshillit Bashkiak.

I pyetur nga BIRN mbi cilësinë e marrjes në pyetje, kreu i SPAK, Altin Dumani dha një version tjetër të paraqitjes së Veliajt në Prokurorinë e Posaçme.

“I është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t'u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës,” tha Dumani.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë