Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur paraditen e sotme seancën e vlerësimit të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku.
Në këtë seancë, Prokurorja e Përgjithshme nuk ështe e pranishme, duke u përfaqësuar nga avokatja e saj, Lirime Çukaj.
Komisioni i Pavarur Kualifikues vlerësoi aftësitë profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e kreut të organit të akuzës. Trupi gjykues për vlerësimin e kryeprokurores u përbë nga Genta Tafa, Pamela Qirku dhe Suela Zhego.
Gjatë seancës KPK vlerësoi se sipas ILDKPKI kryeprokurorja Marku ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare dhe nuk ka konflikt interesi.
Nuk ka fshehje pasurie, nuk ka as deklarim të rremë. Ne kemi bërë hetim të thelluar dhe të pavarur. Hetimi nga KPK është bërë për pasuritë, një apartament banimi 103m2 me vlerë 5 mln lekë me adresë në Perash, Shkodër.
Apartamenti është blerë me kredi. Apartament banimi me sipërfaqe 60 m2. Me adresë lagja “Vasil Shanto”, Shkodër. Shtesë në apartamentin në lagjen “Vasil Shanto” me sipërfaqe 9 m2. Shtesa është në proces legalizimi.
Ndërkaq, edhe DSIK konfirmon përshtatshmërinë e Markut në detyrë.
Arta Marku u zgjodh prokurore e Përgjithshme e Përkohshme në një seancë të tensionuar parlamentare në dhjetor 2017, kur deputetët e opozitës hodhën tymuese në shenjë proteste ndaj mënyrës së zgjedhjes së saj. 42-vjeçarja që punonte deri në atë kohë si zv.drejtuese e Prokurorisë së Shkodrës u ngjit në postin më të lartë të akuzës vetëm me votat e mazhorancës, pas 17 vitesh karrierë në sistemin e drejtësisë.
Ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2002, kohë kur ka punuar për 1 vit si prokurore në Prokurorinë e Fierit. Më pas ajo është transferuar në Shkodër, ku ka ushtruar detyrat si prokurore, drejtuese e Task-Forcës për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit si dhe zv. Drejtuese e Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.