Rend dhe Ligj

Kryeprokurori i ri pas 30 ditësh, vendimi për SPAK në 25 nëntor

Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi këtë të martë metodologjinë për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Kryetari I KLP-së, Gent Ibrahimi tha se Shqipëria do të ketë Kryeprokurorin e ri  pas 1 muaji duke nisur nga e enjtja.

“Kjo metodologji i orienton më në detaje anëtarët e Këshillit për të bërë pikëzimin e vlerësimin e kandidatëve. Ajo e ka origjinën tek një vendim që ne kemi marrë përpara se të fillonte gara për Prokurorin e Përgjithshëm. Ai vendim edhe kjo metodologji parashikojnë që ne duhet të përpiqemi të kuptojmë se sa aftësi profesionale kanë kandidatët, sa aftësi organizative menaxheriale kanë ata, sa aftësi të paraqitjes në publik kanë dhe se fundi cilësi të tjera si gjuhët e huaja, gradat shkencore e kështu me radhë. Rreth këtyre kritereve vërtitet vlerësimi nga ana e Këshillit”, tha Ibrahimi.

Sipas tij, për aftësitë profesionale ka një marzh vlerësimi nga ana e KLP që është nga 1 deri në 20 pikë. Anëtarët e KLP orientohen që të shohin të kaluarën, se çfarë eksperiencash pune kanë pasur kandidatët, nëse ata kanë pasur rastin të administrojnë institucione, kanë pasur rastin të përfaqësojnë çështjen në gjykatë, kanë pasur rastin të menaxhojnë buxhete e kështu me radhë. Të mërkurën do të bëhet intervistimi i tri kandidatëve për kryeprokuror, ndërsa të një ditë pas pikëzimit do t’i dërgohet Kuvendit lista me kandidatët sipas renditjes. Arta Marku, Olsjan Çela dhe Fatjona Memçja janë tre kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Ngritja e SPAK

Në datën 25 nëntor KLP do të marrë vendimin për emërimin e 8 prokurorëve që mund të emërohen, pra atyre 8 prokurorëve që e kanë kaluar tashmë vettingun në Prokurorinë e Posaçme. “Ne do t’i japim këtyre vendimeve të datës 25 mendoj, do të jetë në dorën e Këshillit kjo gjë, por mendoj që do të japë një efekt të vonuar me 2-3 javë për t’i dhënë mundësinë po Këshillit që të zgjedhë drejtuesin edhe administratës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda që të konvertohet për aq sa është e nevojshme në administratë të Prokurorisë së Posaçme. Është një proces që kërkon deklarimin nga ana e tyre të gatishmërisë për t’iu nënshtruar kontrollit të posaçëm që ligji parashikon për punonjësit e administratës së Prokurorisë së Posaçme, pra duhet pak kohë për këto procese për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK-ut dhe konvertimin e administratës dhe në këto kushte do t’u japim një efekt të vonuar vendimeve tona të datës 25”, deklaroi Ibrahimi.

Kandidatët për gjykatën e Lartë

Këshilli i Lartë Gyqësor ka vendosur këtë të martë kualifikimin e gjyqtarëve Ervis Pupe dhe Ilir Panda për në Gjykatën e Lartë. Po ashtu KLGJ vendosi edhe kualifikimin e Sokol Sadushi për këtë  Gjykatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë