Ka ndodhur

Kryepeshkopi Anastas del nga spitali: Dashuria të fal fuqi në çastet e vështira

Kryepeshkopi Anastas doli të hënën nga spitali “Evangelismos”, ku po kurohej prej afro dy javësh.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë njoftoi se Fortlumturia e Tij Janullatos do të vazhdojë trajtimin mjekësor të nevojshëm në shtëpi, në Athinë.

Krahas politikanëve grekë e shqiptarë që kanë shprehur interes për shëndetin e tij, Kryepeshkopi Anastas falënderon miqtë e panumërt, klerikë dhe laikë, të njohur dhe të panjohur, që e mbështetën me lutjet e përzemërta dhe me shprehjet spontane të dashurisë së tyre gjatë kësaj kohe.

“Pjesëmarrja e heshtur në vuajtjen e popullit të Perëndisë ndihmon në mënyrë mistike në arritjen e kohezionit social. Dashuria spontane e sinqertë gjithmonë fal fuqi në çastet e vështira të njerëzve. Dashuria është gjëja më e vyer që mund të ekzistojë në botë”, thuhet në postimin e Kishës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë