Politike

Kryeparlamentari i Kosovës merr nënshtetësinë shqiptare

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli  bëhet shtetas i Republikës së Shqipërisë.  Më 15 tetor të 2018, presidenti Ilir Meta ka firmosur dekretin për dhënien e nënshtetësisë shqiptare të kreut të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Në mbështetje të nenit 92, pika “c”, dhe nenit 93, të Kushtetutës, si dhe nenit 9, pika 7, e nenit 20, të ligjit nr. 8389, datë 5.8.1998, “Për shtetësinë shqiptare”, të ndryshuar, dekretoj: I jepet shtetësia shqiptare, me kërkesë të tij, personit të mëposhtëm: Kadri Fazli Veseli”, thuhet në dekretin nr Nr. 10913, të firmosur nga ana e presidentit Ilir Meta, tashmë i botuar në Fletoren Zyrtare. Sipas këtij dekreti, marrja e nënshtetësisë është kërkuar nga vetë kryeparlamentari Veseli.

Kjo nuk është hera e parë që një zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës merr nënshtetësinë shqiptare. Kujtojmë që pasaportën shqiptare e ka edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai dhe bashkëshortja e tij u pajisën me nënshtetësi shqiptare, në prill të vitit 2017, ku president ishte Bujar Nishani.

Pothuajse të gjithë politikanët kosovarë janë pajisur me nënshtetësi.  Edhe kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj kishte parashtruar një kërkesë për t’u pajisur marrjen e shtetësisë shqiptare. Në korrik të 2017  presidenti  Bujar Nishani, pasi të dorëzonte detyrën firmosi dekretin për dhënien e nënshtetësisë.

Për shkak të bllokimit të lëvizjes së lirë drejt vendeve të BE-së, presidenti Hashim Thaçi i pati kërkuar presidentit Ilir Meta që të shihej mundësia e dhënies së nënshtetësisë për shtetasit të Kosovës dhe personalitetit e shtetit më ri të Ballkanit.

“Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave nuk mund të ketë për momentin një pozitë më të vështirë se sa e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të folur për këtë çështje. Për arsye se ka presione dhe kërkesa pafund nga personalitete dhe qytetarë të Kosovës për të marrë edhe nënshtetësinë e Republikës së Shqipërisë me qëllim kryesor për ti shpëtuar kësaj bllokade ku padrejtësisht qytetarët e Kosovës ndodhen prej disa vitesh. Përgjigjja më e mirë është ta zgjidhim së bashku. Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësi për të gjithë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi. Shpresoj që pas zgjedhjeve të ardhshme vendore me një dialog edhe më aktiv me BE e Malin e Zi të zhbllokojë këtë çështje pasi nuk bëhet fjalë vetëm për liberalizimin e vizave”,- pati deklaruar Meta gjatë një takimi me homologun Thaçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë