Politike

Kryeministri digjital kërkon ndjesë për “arrogancën dhe justifikimet”

Rrjetet sociale janë bërë prej kohësh platformat kryesore të komunikimit të Kryeministrit Edi Rama, i cili ndërthur postimet që njoftojnë nisma e vendimarrje të qeverisë e mazhorancës me ato nga aktiviteti i tij i përditshëm, hera-herës edhe personal e familjar.

Janë të njohura nismat e ndërmarra prej tij, ku më e qëndrueshmja mbeter ERTV-ja e famshme, e cila “evoluoi” nga një “kanal” ekskluziv i Edi Ramës, në një “kanal” që transmeton edhe intervista të ministrave, deputetëve, apo drejtuesve të tjerë të institucioneve në varësi të qeverisë e mazhorancës.

Përmes ERTV-së në Facebook, Kryeministri nisi rubrikën “Sqarimi i Javës”, ndërsa në Twitter ishte nisma me hashtag “PyetEdiRamën”. Që të dy nismat u ndërmorën në kulmin e diskutimeve për reformën në drejtësi, apo debateve dhe përplasjes me opozitën dhe më vonë u hoq dorë prej tyre.

Tashmë, Rama rikthehet me një nismë të ngjashme, por me një tjetër emër. Në Facebook, Kryeministri i akuzuar shpesh nga ndjekësit e tij për arrogancë, tallje dhe justifikime për punët e pakryera njoftoi nisjen e rubrikës “Përgjigjia ime”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/327636101139668/?fb_dtsg_ag=AdwCg-fbEWjPflZa-zv8Mv5IpbSimB6ucaQSADHTqrLp1g%3AAdyVjyoBahuKgFuIP39YR8E7cULblxubOlvGhOcElLuRiw

“Jam angazhuar prej kohësh në komente të komenteve tuaja. E bëj me kënaqësi dhe përgjithësisht kur jam në makinë. Disa e quajnë humbje kohe, unë e quaj punë, sepse komunikimi me njerëzit, është pjesë e detyrës sime dhe në këto kohë, kur gënjeshtrat, fabrikimet, lajmet e rreme gëlojnë si në harados, më shumë komunikim është më shumë punë për interesin e përbashkët të së vërtetës, fakteve, informacioneve të drejtëpërdrejta”, deklaron Rama.

Pasi u kërkon ndjesë të gjithë atyre, që përgjigjet që marrin u duken “arrogante, tallëse dhe justifikime”, njofton nismën.

“Dua t’ju prezantoj një “rubrikë” të re në funksion të rritjes dhe shpresoj, përmirësimit të komunikimit. Një përgjigje sy më sy, për një koment tuajin, a temë të ditës”, mbyll njoftimin e tij Kryeministri.

Njoftimi i rubrikës së re u shpërnda në orët e mbrëmjes nga Kryeministri në Facebook, pikërisht aty ku disa orë më parë kishte publikuar një tjetër video. Videoja ishte pjesë e postimeve tradicionale të Ramës, që u uron “Mirëmëngjesin” ndjekësve në këtë platformë, por përmbajtja e saj ishte krejt ndryshe nga të tjerat.

Videoja ishte realizuar në shtëpinë e Hysen Zhupanit, në Shijak. Risia nuk ishte përzgjedhja e banesës së një qytetari të thjeshtë me të cilin Kryeministri takohej, pasi në të shkuarën raste të tilla ka plot. Risia e pamjeve, edhe për Edi Ramën, ishte gjendja ekonomike në të cilën jetonte kjo familje. Vizita ishte një premtim i mbajtur i Kryeministrit.

“A të dhashë fjalën që do të vij?”, pyet ai Hysenin, të zotin e shtëpisë, që i përgjigjet me një “Po” falenderuese për këtë.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/1654634484665472/?fb_dtsg_ag=AdwCg-fbEWjPflZa-zv8Mv5IpbSimB6ucaQSADHTqrLp1g%3AAdyVjyoBahuKgFuIP39YR8E7cULblxubOlvGhOcElLuRiw

Në fund, Rama pasi premton rindërtimin e banesës së kësaj familjeje me 4 fëmijë, tregon se edhe vetë ka mbetur i tronditur nga realiteti që ka gjetur.

“Të dhashë fjalën që do të vij dhe erdha, por nuk e prisja që do të ishte kaq e tmerrshme. Është situatë shumë, shumë e frikshme”, thotë ai.

Këto janë dy prej postimeve që tërhoqën vëmendjen e mediave dhe ndjekësve të Edi Ramës në Facebook, i cili veç tyre është edhe tejet aktiv duke iu përgjigjur komentuesve të shumtë dhe këtë e provojnë statistikat, të paktën ato që ka nxjerrë “Burson Cohn & Wolfe”, një agjenci globale e komunikimit me ekspertizë të lartë në komunikimet dixhitale dhe të integruara.

Në muajin maj, kjo agjenci publikoi renditjen e udhëheqësve globalë më aktivë në rrjetet sociale. Top 10 kryesohet nga Donald Trump dhe lista vazhdon me Narendra Modin e Indisë, apo udhëheqës të tjerë botërorë me miliona ndjekës në rrjetet sociale.

Por, çudia e kësaj renditje është se udhëheqësi i renditur i 10-ti në këtë klasifikim është pikërisht Kryeministri shqiptar, megjithëse në Facebook, numëron pak më shumë se 1.1 milionë ndjekës.

Renditja e përpiluar nga “Burson Cohn & Wolfe” me statistikat e grumbulluara nga 1 janari 2017, deri më 15 mars 2018

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë