Politike

Kryemadhi zbulon rrugën për krijimin e qeverisë tranzitore

Gjatë intervistës për televizionin “Nova” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zbuluar mënyrën se si mund të realizohet propozimi i opozitës për krijimin e qeverinë tranzitore. Kryemadhi tha se opozita propozon që në Kushtetutë të shkruhet që qeveria tranzitore të krijohet çdo tre muaj para zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri.

“Opozita ka paraqitur një program për sa i përket qeverisë tranzitore. Po çfarë është qeveria tranzitore? Do të thotë një qeveri kujdestare që garanton zgjedhjet. Sepse sot nuk është se ne nuk duam të hyjmë në zgjedhje, nuk është se duam të bojkotojmë zgjedhjet. Ne nuk duam që zgjedhjet të vidhen, të manipulohen, të deformohen, të mashtrohen njerëzit, mos të intimidohen dhe mos të përfshihen në grupe kriminale në gjithë këtë proces zgjedhor. Dhe cili është propozimi i opozitës? Që ne duhet të kemi një qeveri tranzitore të cilën ta shkruajmë në Kushtetutë që çdo qeveri apo çdo mazhorancë 3 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të ketë një qeveri tranzitore”, tha Kryetarja e LSI-së,

Kryemadhi theksoi se kjo gjë është e plotësisht e mundshme për tu realizuar, pasi është aplikuar edhe në vendet e tjera të rajonit.
“Sigurisht që është e mundur sepse e kanë disa vende të rajonit. E ka Greqia, e ka bërë Maqedonia, që të ketë një qeveri transitore, e cila çliron Administratën Publike, Policinë e Shtetit dhe në njëfarë mënyre nuk intimidon strukturat e shtetit në procesin e zgjedhjeve. Që për hir të së vërtetës në këto 30 vjet ne vazhdojmë flasim për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mbarojmë këto kur kjo qeveri administron po themi nuk lejon bërjen e tenderave që nëpërmjet tenderave lind konflikti i interesit, nuk lejon përdorimin e administratës publike etj”, theksoi Kryemadhi.
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila ndodhet prej pak ditësh në SHBA ka zhvilluar një takim me profesorin e njohur amerikan, Daniel Serwer të Qendrës për Çështjet Transatlantike, Johns Hokpins.

“Pata kënaqësinë të takoja në Uashington profesor Daniel Serwer të Qendrës për Çështjet Transatlantike, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare, Johns Hokpins.
Diskutuam dhe bashkëbiseduam për problematika nga më të ndryshmet parë nga këndvështrime shumë interesante. Debatuam dhe pamë Amerikën me sytë e Daniel Serwer, ashtu si edhe ai pa Shqipërinë me sytë tanë. Një bisedë e frytshme, me ide të qarta, si vendi mund të dalë nga kriza dhe të kthehet sërish në shtëpi për të gjithë shqiptarët”, shkruan Kryemadhi në “Facebook”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë