Politike

Kryemadhi: “Xhafaj” një pikë në oqeanin e zullumeve të qeverisë

Edhe pse nuk foli në podium, në një prononcim për median, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha se kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama, pasi sipas saj skandali Xhafaj është vetëm një pikë “në oqeanin e zullumit të Edi Ramës”.

“Unë mendoj që hapja e negociatave të Shqipërisë nuk ka lidhje me klasën politike, ka lidhje me shqiptarët. Prandaj sot më shumë se kurrë kërkojmë ikjen e Edi Ramës me të gjithë grupin e tij të trafikimit të cilët kanë arritur të bllokojnë negociatat. Largimi i Edi Ramës është shans për shqiptarët që me datën 7 qershor europianët t’i thonë po Shqipërisë. Qoftë edhe duke na vendosur kushte shumë të vështira ne jemi të gatshëm t’i marrim përsipër ato kushte në mënyrë të tillë që shqiptarëve t’i jepet shansi për të qenë anëtar të Bashkimit Europian. Faktet janë shumë të qarta megjithatë unë nuk mendoj që kjo është çështja kryesore sepse e kemi thënë gjithmonë është një pikë në oqeanin dhe llumin e zullumit që Edi Rama ka instaluar në Shqipëri. Largimi i Edi Ramës largon çdo problematikë dhe do ti japi shpresë shqiptarëve”, tha Monika Kryemadhi.

Por teksa PD proteston për largimin e Fatmir Xhafajt, LSI kërkon largimin e Ramës dhe për kryemadhin kjo është paketë. “Unë mendoj që është paketë. Mos u shqetësoni, se këtu nuk është çështje emri, është çështje filozofie, është çështja e antivlerës e cila është instaluar në qeverisjen shqiptare që kushtëzon çdo ditë e më shumë integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Gjë për të cilën ne kemi 27 vjet që aspirojmë për të pasur një Shqipëri Europiane”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë