Politike

Kryemadhi sulmon anëtarët e KQZ: Do mbani përgjegjësi penale

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi paralajmëroi katër anëtarët e KQZ-së se do të mbajnë përgjegjësi ligjore për mospranimin e komisionerëve të PD-së dhe LSI-së për zgjedhjet lokale. Në një bashkëbisedim me simpatizantë të njësisë 8 në Tiranë, Kryemadhi i quajti ata kukulla qesharake.

“Kemi një KQZ ilegjitime me 4 kukulla qesharake. Do mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale për shkeljen e Kodit Zgjedhor. Ua them këtë me bindjen më të plotë. Në Shqipëri portokallja është e vogël, ndaj duhet të kenë diçka parasysh, përgjegjësia do jetë personale, si për Ramën ashtu edhe për anëtarët e KQZ-së që cenojnë Kodin Zgjedhor”, tha kryetarja e LSI-së.

Ndër të tjera, kryetarja e LSI-së tha se edhe më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje, pasi Rama do t’i shtyjë ato siç bëri me Kavajën.

“Jo vetëm që zgjedhje s’ka për të pasur, se do ta bëjë si në Kavajë ku i shtyu zgjedhjet. Imagjinoni që tani është vetëm fare se atëherë kishte dhe LSI në krahë. Ka filluar çdo 20 orë dërgon letra hajde pajtohemi, tregon se është në gjendjen e tij më të keqe psikologjike se politike po se po”, u shpreh Kryemadhi.

Sipas kryetares së LSI-së, sot shqiptarët po protestojnë ashtu si dhe në vitet 90-të për të përmbysur regjimin diktatorial, por ndryshe nga vitet 90-të, shtoi ajo, sot po protestohet për të përmbysur regjimin diktatorial të krimit të organizuar.

“Mendoj që duhet të jemi në aksion. Aksioni i vetëm është protesta e qëndrueshme, protestë e qëndrueshme, protestë e fortë, pjesëmarrje e madhe, përfshirje e të gjithë qytetarëve dhe jo pa qëllim ne kemi marrë iniciativën për daljen në të gjitha njësitë e Tiranës, në mënyrë të tillë që strukturat e LSI të jenë ato që ja u krijojnë infrastrukturën dhe mundësinë qytetarëve të Tiranës për të ardhur në protestat që po organizohen. Dhe sidomos protesta e 25 Majit që do të jetë vazhdimësi e të gjithë protestave të tjera që kanë ndodhur”, - shtoi kryetarja e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë