Politike

Kryemadhi: Sistem i kalbur, ndaj dogjëm mandatet

Monika Kryemadhi thotë se vendimi i opozitës për të djegur mandatet është një ndërgjegjësim për t’u treguar shqiptarëve kalbjen e sistemit dhe të qeverisjes së Edi Ramës.

Gjatë një takimi me qytetarët në Gramsh, kryetarja e LSI-së e cilëson të detyruar vendimin ekstrem të opozitës.

“Ne u gjendëm në një situatë politike që vendosi shqiptarët përpara një konfrontimi fizik me qeverinë dhe të qenurit një opozitë fasadë. Mund të qëndronim në Parlament, mund të merrnim rrogën e deputetit dhe të bënim sikur bënim opozitë. Djegia e mandateve tona ishte për të dhënë sensibilizimin se deri ku është kalbur sistemi dhe qeverisja shqiptare, për të thënë që këtu nuk ka më asnjë lloj shansi dhe mundësie, të një vendi që punon pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, ku tentohet të kapet sistemi i drejtësisë”, deklaroi Kryemadhi.

Për të ilustruar akuzat për lidhjet e qeverisë me krimin, kryetarja e LSI-së solli një rast të freskët.

“Kriminelët lajmërohen nga policia për t’u larguar dhe për të mos u arrestuar, kur ndërkohë fukarai i cili nuk paguan dot faturën e energjisë elektrike 5 mijë lekë të vjetra burgoset. Ju dje keni dëgjuar 40 veta në Roskovec janë arrestuar se pse kanë dalë më një parullë “RAMA IK”, Edi Ramës dhe i kanë prishur imazhin e tij, apo fytyrën e tij në mendjen e tij me këto parulla, kur në fakt po të shkoni në Roskovec korrupsioni i Kryetares së Bashkisë është skandaloz dhe jo vetëm i Kryetares së Bashkisë, por së bashku me Albpetrolin, së bashku me segmente të tjera të cilat kanë grabitur pronat e qytetarëve të Roskovecit, pronat e shtetit, i kanë terrorizuar dhe i kanë dhunuar familjet dhe fëmijët e tyre, e më pas i procedojnë dhe i çojnë në polici për ti kërcënuar”, tha Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë