Politike

Kryemadhi: Rama s’është votuar kurrë, është aty falë kompromiseve

Menjëherë pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në Kukës, një tjetër politikan zuri hapsirën përmes një takimi që po zhvillonte në Devoll, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi

“Dëgjoj që (Rama) bërtet dhe ulëret. Në fakt nuk kam pse ta mbroj unë Ilir Metën se Ilir Meta na ka mësuar dhe ne të tjerëve si të mbrohemi jo më ta mbrojmë ne, por e dëgjoj si bërtet dhe ulëret për Presidentin e Republikës. Në fakt Edi Rama gjithmonë ka pasur frikë nga Ilir Meta, ka pasur frikë sepse Ilir Meta nuk bën kompromis për pushtetin e Edi Ramës, për xhepat e Edi Ramës, për xhepat e oligarkëve të Edi Ramës...”, iu përgjigj Kryemadhi, akuzave të Ramës ndaj bashkëshortit të saj, Ilir Meta.

“...Ky njeri në jetën e tij kurrë nuk është votuar por ka ardhur si rezultat i kompromiseve dhe konjukturave. Ndërsa Ilir Meta është zgjedhur kryeministër me votat e socialistëve në vitin 2000, është zgjedhur kryetar parlamenti me votat e deputetëve socialistë dhe të LSI-së në vitin 2013 dhe president në vitin 2017 është zgjedhur me votat e Partisë Socialiste dhe të LSI-së.

Ilir Meta nuk ka ardhur asnjëherë në krye si rezultat i një kompromisi politik por si rezultat i domosdoshmërisë për të pasur një lider i cili mbi të gjitha është shqiptar”.

Kryemadhi kishte edhe më shumë për të folur.

“(Meta) nuk bën kompromis për interesat e vendit as për fëmijët e tij dhe për këtë ne si LSI jemi krenarë për ato vite që na ka drejtuar, por nga ana tjetër dua të theksoj që edhe Ilir Meta të jetë krenar për të gjithë këta të rinj dhe të reja të cilët do ta ndjekin nga pas në rrugën e tij si President për t’i dhënë Shqipërisë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të prerë çdo lloj plani edhe për shitjen e detit, edhe për ndarjen e Kosovës, edhe për grabitjen e pasurive natyrore të Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një gropë plehrash që Edi Rama e ka në planin kryesor”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë