Politike

Kryemadhi: Rama i ndau shqiptarët në shpellarë dhe qytetarë!

Monika Kryemadhi ka sulmuar kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar një armik të shqiptarëve dhe të popullit të tij.

Në takimin me strukturat drejtuese të LSI në Tiranë, Kryemadhi tha se Rama i urren shqiptarët më shumë se lojërat e fatit pasi banorëve u dha vetëm 7 ditë kohë të dalin nga banesat, ndryshe nga lojërat e fatit që u dha mbi 2 vite kohë.

“Nëse Edi Rama nuk është shqiptar le t’i ndajë qytetarët e tij në shpellarë dhe qytetarë, ne nga Saranda apo nga Kukësi, si rom apo minoritar, për ne janë të gjithë njëlloj. Ky njeri nuk mund të intimidojë njerëzit, dhe t’u thotë atyre edhe 7 ditë kohë keni. Lojërave të fatit u dha 2 vjet e gjysmë kohë. Edhe Hitleri u linte kohë hebrenjve kur u vendoste kryqin, ky as ajrin nuk do t’u lerë shqiptarëve. I bëj thirrje socialistëve që kanë mbetur si Musa Ulqini, Besnik Bare, të shkojnë të pinë një kafe të zezë me ata banorë, dhe t’u thonë ne nuk jemi dakord me këtë turp të Edi Ramës por nuk kemi fuqi ta ndalojmë. Nëse nuk e bëjnë më vjen shumë keq”, u shpreh Kryemadhi.

Kryemadhi ka folur edhe për zgjedhjet lokale, duke u bërë thirrje simpatizantëve të LSI-së që të nisin të mendojnë që tani për datën 30 qershor 2019.

“Sot, që nga ky moment, të gjithë së bashku mjafton sikur 10 minuta në ditë, secili nga ne vetëm të mendojë për datën 30 qershor, të jeni të bindur që numri i këshilltarëve të LSI do të dyfishohet në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Kemi bërë gabime. Të gjithë kemi dëgjuar për ikjen e këshilltarëve të LSI për shkak të ndikimit rus. Në fakt nuk jam këtu për të bërë kritika për të kaluarën.

Por LSI nuk është e kryetares, por është e anëtarëve dhe e votuesve të saj. Prandaj nga sot, strukturat e Tiranës, të gjitha njësive administrative të fillojnë axhendën e tyre të punës. Jo vetëm evidentimin shtëpi më shtëpi të votave të LSI, të votave të pakënaqura nga PS-ja, të votave gri”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë