Politike

Kryemadhi: Nuk duam një ’97 të dytë. Meta, “valvula” e Ramës!

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, tregon se vendimi për djegien e mandateve erdhi nga opozita për të mos u bërë palë me shkeljen flagrante e Kushtetuese nga ana e mazhorancës.

E ftuar në emisionin “Opinion”, Kryemadhi u shpreh e sigurt se këtë verë do të ketë vetëm zgjedhje parlamentare, ndërsa ato lokale do të zhvillohen në vjeshtë.

“Ideja e djegies së mandateve është artikuluar në fillim nga z.Berisha. Më pas është mbajtur si ritëm nga analistët dhe mediat. Kemi pasur debate mes LSI dhe PD për djegien e mandateve. Ne ramë dakord të gjitha palët dakord, pasi konsumuam çdo element institucional. Mbasi ezauruam çdo institucion, nuk na ngeli gjë tjetër veç marrja e këtij vendimi, pasi u përballëm me arrogancën dhe shkeljen flagrante e kushtetutes nga ana e maxhorancës. Ne dogjëm mandatet, sepse do ishim bashkëfajtorë në kapjen e shtetit”.

Ajo tha se kjo është çështje qëndrese për të mos lejuar kapjen e shtetit, ndaj protesta sipas saj do të vvijojë.

“Edi Rama e tmerron dalja e qytetarëve të Tiranës në rrugë. Nuk e tmerrojnë 20.000 qytetarë të ardhur nga rrethe. Protesta e djeshme ishte vetëm me qytetarë nga Tirana. Rama është i rrëzuar. Mjafton të shikoni se cili nga institucionet sot punojnë. Rama është i rrëzuar. Ne do të vazhdojmë sensibilizimin tonë. 16 marsi do ketë tjetër imazh. Protesta e 16 marsit do të jetë më e madhja. Ne nuk duam që të ndodhë një ‘97 e dytë, nuk duam një përplasje civile. Kemi një krizë parlamentare, Rama topin e ka në fushë të tij, ne e kemi rrëzuar atë. Prej një viti nuk pritet nga asnjë kanclari europiane. Partia Socialiste po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme në fund të muajit maj. Zgjedhjet lokale do të shtyhen në muajin shtator-tetor”.

Kryemadhi ka shpjeguar edhe marrëdhënien politike të Presidentit Meta, njëkohësisht bashkëshorti i saj dhe kryeministrit Rama.

“Shumë njerëz zhgënjehen nga deklaratat e mia. Ilir Meta po ashtu do zhgënjehet nga deklaratat e mia, sepse Meta ka qenë gjithnjë një valvul për Ramën, sepse e ka ndihmuar të kalojë gafat dhe ngërçet politike, - u shpreh kryetarja e LSI-së. – Rama e ka mashtruar shtatë herë Ilir Metën. Nuk jam dakord me deklaratat e Metës, por ai duhet të marrë përgjegjësitë e tij ku ndodhet vendi. Unë them se Meta është një njeri i institucioneve, edhe pse po të ishte ai kreu i LSI-së nuk do i digjte mandatet”.

Kryemadhi shtoi më tej se Rama mbahet peng nga disa përgjime të ish-ministrit të Brendshëm: “Tahiri ka regjistruar Ramën me dreka e darka me banda kriminale. Akoma në ambasadën italiane janë përgjimet e Ramës në bandat kriminale”.

Në lidhje me vendimin e deputetit të LSI-së, Lefter Koka për të mos dorëzuar mandatin, kryetarja e LSI-së, tha: “Nuk kam pasur kontradikta me Kokën, kemi pasur marrëdhënie shumë miqësore, vendimi është i tij tij, s’kam pse ta diskutoj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë