Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e shikon protestën e nesërme të opozitës së bashkuar si një mjet që do të sjellë futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Në një postim në profilin e saj në “Facebook”, ajo shkroi se të shtunën do të përballen dy botë. “Përballja e dy botëve nesër. Bota e krimit me BOTËN E INTEGRIMIT. SHQIPËRIA NË BE”, shkroi Kryemadhi.
Më herët, në një takim më simpatizantë të LSI-së, në njësinë numër 11 në Tiranë, Kryemadhi tha se e nesërmja do të jetë dita e qytetarëve.
“Nesër e gjithë opozita del si qytetare. Edhe unë dal si qytetare, si nënë, si bashkëshorte. Para kryeministrisë do të jenë qytetarët. Shqipëria ka nevojë për bashkimin mbarëkombëtar për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit evropian, – tha ajo në një takim me strukturat e LSI-së në njësinë 11 në kryeqytet. – Për ti thënë jo krimit në politikë. Mos lejojmë këtë kupolë të kapur nga krimi i organizuar ta bëjë Shqipërinë vendin me moshën më të vjetër në Europë”, u shpreh ndër të tjera Monika Kryemadhi.
Po ashtu Kryemadhi komentoi dhe bllokimin e autostradës, në të cilët do të ketë punime gjatë ditës së nesërme, duke thënë se qytetarët nuk i ndal askush.
“Frika për protestën e nesërme i ka bërë që të bllokojnë rrugën, që të kërcënojnë shoferët e autobusëve, por nuk kanë bërë një llogari të vogël se e gjithë Tirana do të vërshojnë në shesh. E gjithë Tiranë do të protestojë, pasi do ti tregojë Ramës që është i vetëm. Nesër në shesh janë të gjithë qytetarët dhe jo politika”, u shpreh kryetarja e LSI.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.