Politike

Kryemadhi në Shkodër: Shqiptarët të lodhur nga tranzicioni 30-vjeçar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, gjatë takimit me qytetarët e Shkodrës tha se shqiptarët ndihen të lodhur dhe të mërzitur nga tranzicioni 30-vjeçar. Kryemadhi theksoi se ka ardhur koha për të ndërtuar një sistem të ri, një sistem ku ka balancim të pushteteve, ku gjykata është e pavarur nga politika, ku prokuroria është e pavarur nga politika, ku arsimi është i pavarur nga politika dhe i mëson fëmijët njëlloj, pavarësisht bindjeve politike që kanë prindërit e tyre, ku shëndetësia është e barabartë për të gjithë qytetarët.
“Sot ne ndihemi të zemëruar, ndihemi të mërzitur, por ndihemi edhe të revoltuar për mënyrën e pabarabartë sesi qeveria drejton ndaj popullit të saj. Sot ne ndihemi jashtëzakonisht të lodhur nga ky tranzicion. Nuk mund të vazhdojë më Shqipëria me tranzicion. Nuk mund të vazhdojë më Shqipëria me një qeverisje, e cila kërkon të zgjasë agoninë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vetëm në 3 vitet e fundit më shumë se 400 mijë shqiptarë janë larguar nga Shqipëria dhe nuk duan të kthehen. Shqipëria po mban vendim e parë në Europë për azilkërkuesit. Shqipëria çdo ditë dhe më shumë po varfërohet. Kjo është fatkeqësia më e madhe, se pse ne duam që Shqipërinë ta bëjmë shtëpinë e shqiptarëve. Sepse nëse ne nuk e kthejmë Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve, Shqipëria nuk do të ekzistojë më. Dhe te mos ekzistimi i Shqipërisë do të jetë fatkeqësi e madhe kombëtare, jo vetëm për shqiptarët, por do të jetë një mallkim për klasën politike që po i detyron shqiptarët të largohen nga Shqipëria”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Gjithashtu, ajo pohoi nga qyteti verior se djegia e mandateve nga opozita ishte një vendim ekstrem, ndërsa tha se kjo ishte rruga e vetme për t’u përballur me një qeveri, e cila ka lidhur fatet e saj me krimin.
Ashtu si kryedemokrati Basha, edhe Kryemadhi nënvizoi se opozita e bashkuar do të vijojë protestat jo vetëm në Tiranë, por shtrirja e tyre do të jetë në të gjithë vendin.

“Protesta jo vetëm në Tiranë, por në çdo qytet të Shqipërisë. Ka dy lloj politikanësh: Një lloj që lidhet vetëm me karrigen, ndërsa ka edhe të tjerë që djegin mandatin dhe bëhen bashkë për të përmbysur njëherë e mirë këtë krim", tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë