Politike

Kryemadhi: LSI nuk ikën nga fleta e votimit, Rama e sulmon Metën se do të bëjë pazar

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi paralajmëroi se vendimi se si do të dalë opozita në zgjedhje do të merret vetëm pas datës 5 dhjetor kur do të mbahet edhe Konventa Kombëtare e kësaj force politike.

Megjithatë, e pyetur disa herë nga media për këtë çështje, Kryemadhi la të kuptohet qartë se LSI-ja do të dalë në zgjedhjet e ardhshme me sigël më vete, pastaj në krye të një koalicioni të majtë apo jo, kjo do të vendoset më tej.

Megjithatë, gjatë prononcimit të saj, ajo la të hapur se mund të ketë edhe dy koalicione brenda opozitës

“Simboli i LSI-së nuk ikën nga fleta e votimit sepse LSI është një realitet, por është edhe një parti e majtë dhe është e panegociueshme çështja e logos...Grupet e punës nga partitë opozitare janë përfshirë në ristrukturim. Si fuqia e dy koalicioneve zgjedhore, si fuqia e një të tërë, të gjitha bashkë janë fuqia e opozitës... ”, tha Kryemadhi në një konferencë për shtyp.

Cilado do të jetë formula, Kryemadhi tha se opozita do të marrë votë plebishitare, madje sipas saj, me Kodin e ri Zgjedhor ajo mund të përfaqësohet në Kuvendin e ardhshëm me 100 deputetë.

“Sa i përket Kodit Zgjedhor dhe ndryshimeve në Kushtetutë është vetëm një taktikë elektorale. Jemi përballur gjithmonë me taktikat elektorale të Edi Ramës.

Taktikat elektorale  vetëm krijojnë lehtësim shpirtëror të hallexhiut, por taktikat elektorale nuk shtojnë votat në kutinë e votimit.

Sa i takon strategjisë që do të ndjekë opozita jemi në pritje se çfarë do të ndodhë në Kodin Zgjedhor, nga konferencat që kemi dëgjuar nga Presidenti na ka bërë të qartë se do ti japë dhe një mundësi mazhorancës. Lidhur me kalkulimet të jeni të bindur se fuqia e opozitës është e jashtëzakonshme dhe nuk ka të bëjë me strategjinë politikën dhe as përllogaritjen matematikore, fuqia e opozitës do të kalojë përmasat dhe në 25 prill do të jetë plebishitare”.

Kryemadhi u pyet edhe për përplasjen Rama-Meta dhe faktin nëse ky raport ndikon tek opozita.  

“Dua të them që debati mes Presidentit dhe kryeministrit në ikje, për aq sa i njoh të dy personat mund të them që në PS angazhimi i Ramës aq me devotshmëri kundër Metës tregon frikë dhe panik. Përballja që do të ketë në 25 prill është e pashmangshme. Reagimet e zotit Rama tangente, duke bërë skip problemeve të tjera si inceneratorët, rafineria e naftës probleme shumë të rënda sesa këto që në flasim.

Sulmet që Rama i bën Metës i shikoj si një ftesë për të hyrë dhe bërë pazar për të shpëtuar kokën e tij, por këtu duhen shpëtuar shqiptarët”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë