Politike

Kryemadhi i akuzoi burrin për lidhje me bandat, Gjonaj: Shantazh!

Gjatë seancës së sotme parlamentare, pati një përplasje në distancë mes kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi dhe ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj, me të parën që akuzoi bashkëshortin e Etilda Gjonajt, për lidhje me bandat e kumarit dhe krimit të organizuar.

Kryemadhi madje foli me emra konkretë, duke thënë se ai është i përfshirë në botën e kumarit dhe ka pasur një lidhje të ngushtë me të plagosurin në masakrën e ish-Bllokut, Ervis Martinaj.

“Pse është pushuar disa herë burri i saj nga Tatimet? Kush janë lidhjet e tij me Ervis Martinajn dhe lidhja e tij me pjesëtarë të qeverisë. I them Etilda Gjonajt të jetë e kujdesshme në telefonatat e saj dhe mesazhet që i çon gjyqtarëve dhe prokurorëve”, paralajmëroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha nga foltorja se nuk e ka sulmuar më parë Gjonajn për shkak se ka lidhje farefisnore me Ilir Metën.

Por në mungesë të një përgjigjeje direkte në Parlament, ministrja Gjonaj ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat lidhur me këto akuza. Ajo i cilëson shantazh personal dhe sqaron se bashkëshorti i saj ka fituar gjyqin dhe është kthyer në detyrë në Drejtorinë e Tatimeve si Inspektor.

“Isha prezent në një takim me ambasadorët ku raportova për zbatimin e reformës në drejtësi, kur dëgjova akuzat nga Kryemadhi që ishin në formën e një shantazhi. Ndihem e keq ardhur që flitet për bashkëshortorin tim. Janë në të drejtën e tyre të zgjedhin mënyrën që duan për të bërë opozitën. Këtu duhet të ekzistojë debati për qytetarët, por opozita bën shantazhe dhe sulme personale. Unë nuk jam këtu për t’u marrë që me familjarët apo për të treguar lidhje fare fisnore. Është e vërtetë që bashkëshorti i im ka mbajtur një post dhe është larguar nga shërbimi civil me një vendim administrativ dhe ka ndjekur rrugën ligjore është kthyer në pozicionin që ka patur. Nuk ka pasur asnjëherë të vetme një akuzë për korrupsion dhe nuk është larguar nga detyra për këtë shkak”, shprehet Gjonaj.

Ndërsa për akuzat në lidhje me bandat e krimit, Gjonoaj shpjegon: “Bshkëshorti i m nuk ka qenë i lidhur as me banda dhe as subjekte të lojërave të fatit, por përdorimi për shantazh nuk është e tolerueshëm. Unë jam e gatshme për të debatuar për çdo gjë, dhe kush do është i lutur që ta bëjë këtë debat”, shton ministrja e Drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë