Politike

Kryemadhi: 16 shkurti? O iki unë e Lul Basha, o ikën Rama!

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, thotë se do t’i shkojë deri në fund qëndrimit të opozitës shqiptare për të mos hyrë në zgjedhje me kryeministrin Rama.

Shumë madje aludojnë se do të ketë një çadër të dytë për t’i dhënë zgjidhje krizës aktuale politike, ose një marrëveshje të ngjashme me atë të 17 majit Rama-Basha, që shqiptarët të votojnë në 30 qershor, por kryetarja e LSI i ka hedhur poshtë këto zëra.

Kryetarja e LSI shtoi më tej se krydemokrati Basha është kërcënuar për të bërë një marrëveshje më 17 maj 2017, para zgjedhjeve parlamentare.

“Opozita më shumë se kurrë, është më e qartë në qëndrimet dhe veprimet e saj. Çadra e bëri funksionin e saj, e uli Edi Ramën në tavolinë dhe lëshoi pesë ministra. Edhe sikur të ndodhë sërish çadra nuk ka asgjëë të keqe. A jemi të vetëdijshëm, që Basha u kërcënua për të nënshkruar një marrëveshje nga institucione që ishin nën hyqmin e Soros? Efekti çadër ka një gjë shumë të mirë, nuk ka më Edi Rama me Lul Bashën vetëm për vetëm. Sot, opozita më shumë se kurrë është e vendosur të ecë në një axhendë. Nuk ka qeveri teknike. Ka një qeveri tranzitore, e cila garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, që garanton hapjen e negociatave. Fronti opozitar e ka zgjidhjen politike për të gjitha llojet e varianteve, demokratike dhe popullore”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi tha mes të tjerash se Rama as që e ka idenë se ç’do të ndodhë në protestën 16 shkurtit, ku opozita ka paralajmëruar një protestë masive për të nisur rrëzimin e regjimit të kryeministrit.

Ajo nuk flet për ndonjë skenar, por pranon: “Kemi menduar si ta rrethojmë “kështjellën” e Edi Ramës, fillimisht me anë të ndërkombëtarëve, pastaj, Rama në datën 16 shkurt nuk ka parë asgjë akoma… Ai është pa oksigjen, ndërkohë që Basha ia ka fikur aparatin”.

Ajo është e bindur në rrëzimin e Ramës nga pushteti dhe këtë e argumenton me këtë frazë: “O do iki unë me Lul Bashën, ose do iki Rama…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë