Bota

Kryebashkiaku i Nju Jorkut akuzohet për ngacmim seksual, ish-kolegia i kërkon 5 mln $ dëmshpërblim

Gazeta Si - Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një ish-kolege në vitin 1993.

Lajmin e raporton “The Messenger”, duke cituar disa burime. Për Adams, akuza është një goditje e re pas polemikave mbi hetimin e FBI-së për korrupsion të dyshuar në fushatën e tij zgjedhore. Kryebashkiaku u mbrojt duke u deklaruar i pafajshëm.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka ndodhur kurrë”, u mbrojt kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams.

Gruaja që akuzon Eric Adams synon të marrë të paktën pesë milionë dollarë me veprimin ligjor të nisur kundër kryebashkiakut.

Letërthirrja prej 3 faqesh, pretendon sulme seksuale, sulm, diskriminim në punë bazuar në gjini dhe seks, hakmarrje, mjedis armiqësor të punës dhe shkaktim të qëllimshëm të shqetësimit emocional.

Paditësja kërkon dëmshpërblim prej të paktën 5 milionë dollarësh së bashku me tarifat e avokatëve.

Bashkia i mohoi me shpejtësi akuzat, duke deklaruar se kryebashkiaku Adams nuk e njeh akuzuesen dhe nëse janë takuar ndonjëherë, ai nuk e kujton atë.

Zëdhënësi, theksoi se Adams nuk do të dëmtonte kurrë fizikisht një person tjetër dhe mohon me forcë çdo pretendim të tillë.

Akti për të Mbijetuarit e Rritur, i bërë ligj nga guvernatorja Kathy Hochul në maj të vitit të kaluar, hoqi kufizimet e zakonshme kohore për padinë mbi sulmet e dyshuara seksuale për një periudhë njëvjeçare, duke çuar në një rritje të padive civile kundër individëve të shquar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë